Tregim me ‘na ishte njiherë’




 ‘Na ishte njiherë nji nusekakashare, e bukur si tana nusekakasharet, por e dobët, e kishin rritë me pak bukë, pak ujë, pak diell, pak erë, ngapak për gjithçka. U rrit kjo nusekakasharja, u ba e madhe me trup, krahët gati me fluturu, por jo shumë gjatë, se lodhej. Jetën e njifte aq sa kishte hangër, pa, pi e nxehë. Dinte vetëm kaq, ‘jeta ka grabitqarë’, por s’ia kishte pa asnjiherë ftyrën kësaj kafshe të madhe, te zezë e të pashpirt…sigurisht kishte frikë me e taku, s’ishte gati për me e përballu.

Kur filloi me ndërtu folenë e vet, rrugës tuj mbledhë kashë e fije të holla të grunit të teprum ndër fusha, qëlloi me taku nji yll të bukur, nji si ajo, insekt si ajo, njashtu me pulla të zezë në nji pelerinë te kuqe…ai filloi me e ndihmu për e mbulu folenë nga jashtë me kashtë, pastaj, ashtu butë, i tha, se s’e kishte ba mirë, se kështu si e kishte nisë ajo, kurrë s'kishte me ba nji gja të bukur e të banushme, e ai dinte shumëçka ma mirë se ajo. Kështu asht bota, 'ai din ma mirë se ajo'.

Ai filloi me i kërku që ajo me mbledhë kashtën në fushë e ai me e ndërtu ashtu si duhej. Ai ishte i fortë, i bukur, e me kalimin e kohës, zani iu ba i trashë. Çdo vit ndërtonin nji fole të re, ku shëtisnin pa pelerinë dhe tre nusekakashare të vogla. Ajo mblidhte fushave kashtën, ai e ndërtonte.

Nusekakasharja kish lindë e rritë e dobët, por u ba edhe ma e dobët. Foleja s’kishte asnji gja të sajën, as vocrrakët. E përditë ma tepër kishte frikë. Jo ma prej grabitqarit, atij hala s’ia kishte pa ftyrën, por prej atij insektit që kishte në shpi, prej atij të fortit, za trashit, vetull trashit, që me kalimin e viteve pelerinën e kuqe e kishte ndërru me te zezë. Ata të dy s’ishin ma i njejti insekt. 

Tash kishte frikë me e lanë edhe folenë, se atje jashtë, pa asnji tjetër në krah të sajin s’kishte me kenë ma ajo që ishte. Ai i kishte thanë, se nëse e kalonte pragun e folesë së tij, kishte me humbë antenat, krahët, ngjyrat, e kishte me u kalbë në mesin e askundit. E tmerronte ideja e kalbjes. Shumë shoqe të tjera, që kalonin nën folenë e saj, ishin njisoj si ajo, mbanin mbi shpindë veç pelerinës edhe frikën e kalbjes. 

Por ishte edhe ndonji, që kishte lanë fole dhe s’ishte kalbë. Nji ditë, guxoi dhe pyeti njenen prej tyne, se çfarë magjiet kishte përdorë për mos me u kalbë mbasi kishte lanë folenë e insektit të vet. Ajo kishte qeshë me të madhe para syve të saj. ‘Kur foleja jote ta merr frymën, kjo asht kalbje zemër’. I shkroi në mend tanë këto fjalë dhe i mendonte çdo ditë në fole, ku gjithmonë e ma shumë mungonte ajri. Kur i kishte thanë insektit të vet, që shpija nuk ajrosej mirë, ai e kishte picku fort, gjak ia nxori gjoksin, ia preu antenat e i tha se ajo kishte aq ajër sa i duhej, jo ma shumë, se me ma shumë bahej merimangë. Dikur ai i vendosi, që meqë kashtën e mbante në shpindë, s’kishte ma nevojë për krahë…ia mori ai, i duheshin ma shumë se ajo, i duheshin dy palë. 

Mbas shumë vitesh, ajo, fjalët e së cilës i silleshin ende ndër mend a kanjiherë në andrra, kaloi prapë afër folesë…e varfën njisoj si ajo, por e qeshun, me krahë tanë shëndet, i shëndrinte pelerina e kuqe…ajo e njofti dhe i foli, 'Oh, zemër, pse kaq shkurt flokët ti’…

‘Insekti jem i dashtun, e i fortë, ai që më mbron prej të këqija, më ka thanë se flokët e shkurta mbajnë larg merimangat e zeza, këto grabiqare që na marin frymë e ajrin e shpisë…e unë qysh se kam kenë fmi kam pasë frikë prej këtyne grabitqareve…

Kur hyni nji ditë në fole insekti, i madh, i zi, me za bubullues, e gjeti të kalbun, atë që kishte tepru prej nji nusekakashareje, dikur e bukur fort’…e shtyvi me kambë deri jashtë derës së folesë e filloi me ndërtue rrjetën për nji nushekakashare tjetër.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde