'a t'ka qëllu ndonjiherë?'



***

a t'ka qëllu ndonjiherë
me ndje praninë e dikujt n'ajri
e me fillu me bisedu?
apo në disa netë kur shtrihesh
dëgjon hapa afër
dhe e fton me u afru?
a n'andrra 
me e kuptu se s'je tuj i pa vetëm
dhe me i thanë 'kam frikë'
apo 'a duhena, a dehena
e të desim pa pritë tjetër kend'?
apo në zgjim
pikërisht atëherë kur ka ma shumë dritë
me u shkri prej nji fryme që të përkëdhel
në qafë, shpindë deri edhe flokë?

qyteti asht ndërtu larg syve të botës
e rrahin s'e di sa erna, stuhi
furtuna e marri
asnjena s'ka emna a parashikime
e ndoshta në mes tyne
asht gjetë nji hapësinë 
e dikush lëviz lirë me çmendë
veç me çmendë.



***

në nji qosh të rrugës jeton pleqnia e dikujt
i ngjan krejt, i shef bashkë herë me ditë, herë me natë
në kurriz kanë nji gungë të madhe
e quejnë shpi, fmini, rini, e quejnë kohë që ka ikë.
unë qeshi, bahen argëtus çdo të shtunë
kllounë të shëmtuem, pa dhambë, me frymë të randë
e tregojnë, bukur i lidhin fjalët, krejt me t'i marrë mendt
përmendin bukurina, magjina, dashnina, puthje
përshkrujnë trupa burrash e grash si në jerm
thurin melodi e pikturojnë hyjni për at' që mbrapa kanë lanë
nuk qeshi ma, shëmtia më ngjitet pěr lëkurë
kadalë, më ther fort e më shpon vena
vena e gjak e hyn atje ku ka kaq vjet tuj ndejtë
më shpërthen në bulëza boshe, as drita s'don me i rá
më thahen, theken, çahen e qelben.
në shpindë s'më ka mbetë vend për asgja.


***  

Nji gjethe
nga ato shtërngu fort për degë e trung
që duhet me lulzue gjatë e jeshilu pa fund
u shkëput
krejt pa pritë, pa i thanë kërkujt
ndodhi në nji paradite
njerzia ishte zgju
e patën kohë në fillim me u habitë
me lëvizë, me u grindë e dikur me pytë
hapën libra për përgjigjet
në botanikë nuk gjetën gja
kërkun në shkenca të tjera deri edhe në histori
prej nga i erdhi kësaj gjetheje me fluturu kështu
nji pjesë me kry ulë vazhdunen me lexu
e pjesa që mbet sytë nga qiella
lëvizjet e gjethes tuj ndjekë
në tokë tuj e pritëme rà.
Po gjethja asht nalt, s'dëgjon asgja
nuk shef çka i kanë msu me pá
e tanë gazmend tash sa vjet 
me erën lun lojën e marrinë e vet.


***

Merre kte grumbull prej mishit e kockave
e nisu
kjo hartë memece asht rruga
gjeji nji pikë e jepi frymë nëse mundesh
nisu se u ba vonë,
furtunat me zemrim i kanë prishë rendin e orës së ranës
s'ke kohë, s'ke nevojë
merr ata që mundena me të dhanë
mos i len ktu
jena ngushtë me shpi, oborr e njerz
mos u kthe.
Lëkura ka me t'u rreshkë 
se asht rrugë pa fillim e fund
gishtat kaně me t'u shtrembnue
edhe natën ke me gërmu
bukuria ka me i ngja flokëve tuj
e shkurtë, e zezë 
pa nji pasqyrë që t'len me i mbledhë mbrapa.
Ke me msu
veç kështu ke me msu
mos me dashtë
mos me të dashtë.
nisu
mos prano me u kthy
mbarunen vendet për ty.
Nisem me kte ritëm msu qysh fmi
e mbledhi përditë tregimet e mia
në copězat e dashnive
që bijnë e ngrihen
si yjet e netëve të gushtit. 
Nesër nisem prapë
tashma me hartën teme 
mbushë me fjalë memece.


***

Harron njeriu me dashtë shpirt
harron, mos i ven faj,
asht i vogël me i mbajtë tana vetë
prandaj i ka vu ditëve numra
e ka nda jetën në muj, vite
me u kujtu se ka kenë, se asht e i duhet me kenë
shpesh mund i madh
e nganjiherë, momente që kalojnë si ré
aty, përballë i bie ndërmend se i asht ba vonë me dashtë
shef orën, e ka frikë me pa ditët
ka kohë, shumë kohë që ka harrue me dashtë
shpirt.


***

e kam zgju ditën 
amël
n'tavolinë dy rriska bukë
tamël
kafe, rreze t'kuqe dielli
përballë
po dje s'ishte askund
pakohë
ngatërroi stinë e orë
vonë
u kujtu që dikush ishte tuj
e pà. 
Prej gazit  kuqja verdh
iu bà
Ke harru zemër dikujt
tjetěr 
ia la vendin tem 
kanjiherë
kur e kuptoj që drita jeme asht
pavend
e shtriqem, pushoj, qetoj
në shpindë
e asaj që i dha emnin e vet
mrekullisë. 
T'lumshin duert, tash po dal
atje jashtë
më presin ende njerz.


***

mjafton nji dhomë
nji ballkon
a qoftë nji trup
me fillu fluturimin
me kërku ndër sirtarë erën
me e marrë në gjoks e me u nisë
pa marrë me vedi
harta
vende
njerz
veç andrra
e diçka me hangěr
se edhe pse koha asht e pafund
krahët janë të shkurtë
kanë nevojë për pushim
anash rrugëve, ndër cepe qiellit
diellit, atje s'munden me iu afru
veç me i këndu. 
Sonte u nis nji trup në fluturim
diçka e bani të lehtë, e bani trim
dashni po ti pse s'ke pasë asnjiherë frikë?



***

Kur erdhe, nga hyne
s'e dëgjova zilen, as kur më thirre?
Po si ia ban me zhurmat zemër
as fletën e librit s'e kuptoj kur e kthen
as fëshërimën e fustanit kur të rrëshqet,
si ia ban, si?

Po s'ke si me e ditë
unë po, 
s'ke me më ndje asnjiherë kur të vij
kur të pëshpěris ambël në vesh
kur të tregoj për nji faqe librit që lexoj
as ke me më lexue asgjë ndër sy
veç valët e nxehta të detit që ndjej në trup ke me pá.
më kanë msue me i harru zhurmat n'shpi
lëvizjet, rutinën, punët deri edhe fjalët
atje i la, dhomat di me i mbushë kur iki
s'më kuptohet mungesa kur jam te ti
s'duhet, s'ban, s'asht mirë
shtyju, më len pak vend n'gjoks ose n'divan.



***

Qysh se kam lindë
e kam dashtë nji shpi
të madhe, të ngrohtë
m'dhanën njat që s'kishin
e me jetën n'strajcë ku s'kam kërku
me të tjerë a vetëm
deri edhe ndër stola nën urë
e gjithandej shpi t'ndryshme kam thurë
u kam këndu nën za, i kam zbukuru
pa pasë asgja me e ndërtu.
E sot, mbas sodit
vite t'kalum, që tash kanë ardhë tuj u ba nji
kur n'mu s'ban as nxehtë as ftoftë
emnin e shpisë tashma ia di.


***

Jetojmë në nji skenë të thjeshtë
unë e ti 
bashkë
si nji natë përnatë
edhe kur bajmë shamatë
edhe kur mërzitena
me ditë s'flasim
as nuk shkruhena
por vijnë mbramje që ulena përballë
ti tuj thurë shporta
unë tuj ujitë lule
e ndërrohena
unë thur andrra 
ti ujit ngjyra
në nji cep shpije
e madhe sa bota
po ne na del dy gisht vend 
ti tuj qepë, shef sa shkoj ora
unë shtroj shtrojet e vjetra
dikur duhet me fjetë
pa u prekë
pa i thanë gjanat as n'gjumë
zgjohena përballë
marrim rrugat
ti në nji karrocë
unë në biçikletë
zgjedhim ato ma t'gjatat
kena kohë me thurë yje
me ujitë biseda të përjetshme
me fjetë përtokë
prapë bashkë.


***

ke ardhë
ashtu si kot ke kërku
s'ke gjetë
dhe ke mendu
a thu ndër njerz atje jashtë 
kam me e pá
dhe tuj vrapu ke me e gjetë
dhe tuj t'u marrë fryma ke me i thanë
'a duhena sot bashkë
nesër s'i dihet a jena ma'
dhe qeni të zgjon nga andrrimet
je ende te pyetja 'a thu'
'a thu?'
ma mirë mos e thuj.


***

Jam aty, jam këtu e pres
pantallonat u vjetrunen me mu
ulë në të njëjtë shkallë tash sa vjet.
Mbërrita në nji kohë me bukëpjekëses
pasi u përshëndetëm nuk vonoi shumë
aroma e bukës së nxehtë mbyti lagjen në gjumë
e u çuen tanë me radhë
shpërndarësi i bukës, shitësi i bulmetit
zuni vendin e vet dhe ajo që vjen prej larg me shitë dy kosha voe
e u përshëndetëm si përditë
e filloi zhurma e ditës rutinë e rrugëve 
që edhe pse kanë pa shumë nuk dinë me ndryshue
u zgjue edhe dielli e u përshëndetëm 
më gjeti në të njëjtin vend që më kishte lanë dje
der’ edhe ai e di që të pres
sa me të thanë ‘si ke ndje’
e më ikë aty ku s’kam kohë me pritë askënd
me u kthye me të thanë ‘natën e mirë’
s’di kur po më len
s’e di.



Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde