Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde
...Një nga detyrat e gjuhëtarëve
ësht të krijojnë një baraslargësi
sa më të përshtatshme për të gjithë
shqiptarët kundrejt kësaj gjuhe standarde.
Dhe pikërisht Shqipëria e Mesme,
aty ku po takohen gegërishtja e toskërishtja,
në Tiranë, aty ku po ndodh përzierja
e madhe e të gjithë folësve shqiptarë,
duhet me u marrë si model...
Sido që të nisë nji
debat rreth gjuhës, ajo përmban nji dozë gatishmënie për të marrë nji anë dhe
për ta mbrojtë atë me një zell të pangjashëm. Si duket çashtjet e gjuhës kanë
qenë dhe mbeten çashtje që vazhdimisht shoqnohen me debate të zjarrta. A po na
ndodh kjo veç neve apo kjo asht një gja e zakonshme edhe në botë?
E
vërteta ësht që debatet rreth gjuhës kudo dhe gjithmonë kanë një flakë brenda.
Diku janë më të zjarrta, diku më pak, por debate rreth gjuhës ka pasë, ka dhe
do të ketë gjithmonë. Gjuha, duke qenë një nga ato veçantitë tona më të thella
njerëzore, në të njëjtën kohë ësht edhe një veçori ndër më enigmatiket. Ësht
paradoksale apo jo? E përdorim çdo ditë, ësht pjesë e jona, ndërsa e njohim aq
pak. Në të vërtetë, studimi i gjuhës ësht i një rëndësie parësore, jo vetëm për
ta njohë gjuhën si të tillë por, me thënë me gjuhën e Chomskyt, ësht dritarja e
vetme që mundet me na mundësu një depërtim, një kundrim në mendjen tonë. Dhe
kjo ësht arsyeja pse studimi i gjuhës ësht shum i rëndësishëm. Ësht e vetmja
mënyrë që t'i zbulojmë fshehtësitë e natyrës tonë njerëzore. Sidoqoftë, derisa
debatet rreth gjuhës mbeten debate vetëm rreth gjuhës dhe jo debate fyese e
denigruese, sado të zjarrta qofshin, ato do të jenë të dobishme.
Ka
pasë dhe ka edhe sot, fjala vjen, debate rreth anglishtes. Gramatikanë
parashkrues të shekujve të kaluar kanë kërku që anglishtja me u mësu e m'iu
afru sa ësht e mundur sistemit gramatikor të latinishtes, sepse mendohej se
gramatika e latinishtes ishte gramatikë e përsosur. Dikur u kuptu se ky ishte një
keqkuptim i madh dhe dalëngadalë u hoq dorë nga kjo qasje. Një nga debatet që u
zgjidh këtyre ditëve në anglishte ka qenë debati për paskajoren e ndarë. Ësht
një nga mbetjet e fundit të atij keqkuptimi të vjetër se kinse paskajorja nuk do
të duhej me u përdorë e ndarë, duke qenë se latinishtja nuk e ndan paskajoren e
vet. Këto ditë kjo paskajore u pranu tashmë si një trajtë e anglishtes
standarde. Me këtë merr fund përpjekja që ishte vënë në të kaluarën për
imitimin e latinishtes. Në të vërtetë, paskajorja e ndarë ësht një nga veçoritë
tipike të anglishtes, pikërisht aty ku anglishtja ësht anglishte e mirëfilltë.
Por
debati që ka histori të gjatë e shum interesante ësht debati, jo për
standardin, por për standardet e norvegjishtes. Ka më shum se një shekull që
nuk pushojnë debatet e zjarrta rreth dy gjuhëve standarde të norvegjishtes. Thuhet
se në formim e sipër ësht edhe gjuha e tretë standarde. Një trajtim historik
dhe sociolinguistik të këtij problemi e ka bë Haugeni, vepra e të cilit rreth
kësaj problematike u bë vepër e paanashkalueshme në sociolinguistikë. Masandej,
para disa vjetësh, plasi një debat në Gjermani rreth një reforme të alfabetit
që u bë atje. Në Francë vazhdimisht bëhet një betejë për rujtjen e frëngjishtes
nga ndikimi i anglishtes e kështu tutje. Pra, ka mënyra të ndryshme të qasjes
ndaj gjuhës dhe këto qasje janë, në një mënyrë apo tjetër, shprehje e mendësisë
kolektive të asaj shoqërie.
Cila asht arsyeja që
ndodhin këto debate dhe nuk gjejnë zgjidhje? Çfarë mungon dhe a ka ndonji
formulë për të gjetë zgjidhje më të lehta?
Disa nga arsyet munden me qenë që ligjësitë e gjuhës ende janë të panjohura dhe
fakti që gjuha vazhdimisht ndryshon. Njerëzimi vërtet e ka kaplu rrugën deri në
Hënë, por jo edhe deri në trurin tonë. Si duket, paradoksalisht, kjo rrugë po
del se ësht edhe më e largët sesa rruga deri në Hënë. Gjuha ndjek zhvillimet
dhe zhdrivillimet e shoqërisë njerëzore. Kështu, ajo ësht një pasqyrim i kësaj shoqërie.
Orwelli ka thënë mirë që gjuha e sëmurë ësht simptomë e pagabueshme që tregon
se një shoqëri ësht e sëmurë.
Ndër
ne ka një keqkuptim rreth mënyrës së trajtimit të gjuhës tonë, që nuk shkon as
me traditën tonë shekullore.
Vetë fakti që shqiptarët kanë zhvillu tri gjuhë letrare tregon mendësinë e hapur demokratike të shoqërisë shqiptare, mendësinë që lejon zhvillim në diversitet. Kjo demokraci, sado bazike, fillestare e mendësisë tradicionale ësht e papajtueshme me absolutizmin qoftë pushtetar, qoftë kulturor. Përpjekja për me instalu në këtë shoqëri mendësi diktatoriale, prandaj, ka qenë dhe mbetet një nga tragjeditë më të mëdha që ka mundë me u ndodhë shqiptarëve.
Ka,
natyrisht, edhe shembuj qasjesh të çuditshme në botë. Përpjekjet e francezëve
me pengu ndikimin e anglishtes janë luftë kundër mullijve të erës. Ka qenë një
kohë kur pati ndodhë një ndikim shum i fortë i frëngjishtes mbi anglishten dhe
anglezët nuk i shpallën luftë fjalëve të frëngjishtes, por i pranuan dhe sot
rreth 30 për qind e leksikut të anglishtes përbëhet prej fjalëve të
frëngjishtes. Anglishtja ësht e hapur ndaj çdo gjuhe dhe prurjet leksikore i
konsideron si pasuri dhe jo si rrezik. Fjala vjen, një nga fjalët e fundit të shqipes
që ka hy në anglishte ësht fjala "kosovar".
Le të kthehemi, pra,
te shqipja. E dijmë që shqipja ka kalue nëpër shumë peripeci. Kujdesi
institucional në të kaluemen ka mungue për shkaqe objektive, duke qenë se
shqiptarët ishin nën pushtime shtetesh të ndryshme që nuk kishin kurrfarë
interesimi për shqipen. Sot kemi dy shtete shqiptare ku gjuha shqipe asht gjuhë
e shumicës dhe gjuhë zyrtare, kemi një mërgatë shum të madhe në botë. Çfarë po
ndodh me shqipen? Ç'fat po e pret?
Shqipja,
për nga situata nëpër të cilën ësht zhvillu historikisht, më së shumti ngjan me
norvegjishten. Në të vërtetë, shqipja ka mujtë me i shërby si model
norvegjishtes, sepse tri gjuhët letrare të shqipes janë zhvillu vijanozisht për
shekuj me radhë dhe që të trija kanë mujtë me u kthy në gjuhë standarde pa
asnjë problem, nëse kushtet shoqërore e politike kishin qenë të ngjashme me ato
të norvegjezëve. Njërën gjuhë standarde të norvegjishtes e ka kodifiku vetëm një njeri, një gjuhëtar, i qujtur Ivar Aaseni,
vetëm e vetëm me kriju një distancë nga gjuha e atëhershme standarde e cila ishte
e afërt me danishten. Sidoqoftë, duke qenë se edhe ndër ne ka pasë keqkuptime
rreth gjuhës, na jemi në një dyshtësi që po na ndjek si mallkim. Kjo po vjen
edhe nga ngatërrimi i termave gjuhësorë, edhe nga njëmendësia e ndërlikuar
politike në të cilën gjenden shqiptarët si komb. Ngatërrimi i termave lidhet me
të kuptuarit dhe të përkufizuarit e standardit gjuhësor të shqipes, ndërsa copëtimi
i trojeve shqiptare në shum shtete paraqet ndërlikimin e këtij procesi në nivelin
politik. Mendoj se po u qartësu dallimi në mes të gjuhës standarde dhe gjuhës
letrare shum keqkuptime do të kishin me u sqaru e me u zgjidhë më lehtë.
Edhe
ndër ne puna ka shku aq larg sa rrethet dogmatike kulturore, qysh po shihet,
nuk po e begenisin punën as të dy Akademive të dy shteteve shqiptare. Tejkalimi
i kësaj mendësie ka me qenë zgjidhja e vetme për gjuhën shqipe. Por, gjendja e
mërgatës ësht e rëndë. Mendoj se mërgata do të duhej me u mobilizu vetë për
rujtjen e shqipes dhe traditave shqiptare. Tash që bota ësht bë fushëbetejë
kulturash të ndryshme, vetëm një organizim i mirëfilltë, planifikim i duhur dhe
qëndrim këmbëngulës mundet me shpëtu mërgatën nga asimilimi i plotë. Natyrisht,
nuk kërkoj që shqiptarët të mohojnë gjuhët dhe kulturat e vendeve ku kanë
mërgu, por kërkoj që të rujnë dhe të kultivojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare
si një vlerë edhe për vendet ku kanë mërgu ata.
A ësht e mundur, fjala vjen, që gjithë mërgata milionëshe shqiptare nuk ka mundësi të hapë një shkollë private diku në Europën Perëdimore, duke e financu vetë? Një kolegj me profesorë shqiptarë e të huaj, me studentë që kishin jetu pranë këtyre shkollave dhe kishin mësu gjuhën shqipe, historinë dhe traditat? Besoj se ka potencial financiar, ka edhe vullnet. Por nuk ka organizim të duhur.
Duke qenë se vetë
jam i mërguar e dij se nuk e kemi të lehtë, por me organizim e vullnet të mirë
gjithçka mundet me u bë. Por, nëse nuk ndërmerret asgjë në këtë drejtim,
mërgata jonë në brezin e dytë e të tretë nuk ka me egzistu më.
Ajo që bie në sy te
shkrimet për shqipen janë një varg sintagmash: "gjuha letrare",
"gjuha e unisuar letrare", "gjuha e sotme shqipe",
"gjuha e unisuar letrare shqipe", "gjuha standarde
shqipe"... Kjo shumësi përcaktimesh sikur krijon një hutesë te ata që e
lexojnë. A asht kjo punë e qartë për vetë gjuhëtarët që i përdorin këto? Ka
"gjuhë standarde" në nji anë dhe ka "gjuhë letrare" në anën
tjetër: a janë e njëjta gja apo dy gjana të ndryshme? A munden me ndejtë fort
mirë bashkë që të dyja këto përcaktime, pa i prishë punë e duke ndërveprue
gjithnjë për me e pasunue dhe me e zgjanue gjuhën shqipe?
Thelbi
ësht pikërisht këtu. Gjuha standarde në çdo gjuhë ësht artificiale. Ajo
krijohet dhe dizajnohet që variantet gjuhësore të mund të reduktohen në një varient
të vetëm. Në "Këshilluesin e gjuhës kroate", një grup gjuhëtarëve
kroatë, e shpjegojnë mirë dallimin në mes të gjuhës standarde dhe gjuhës letrare.
Ata thonë se ësht në natyrën e gjuhës standarde që ajo të ketë këto veçori:
ësht kolektive, përcaktohet me rregulla që një bashkësi detyrohet me i
ndjekë, ësht denotative, ngaqë synon
që të jetë sa më e njëkuptimshme, ësht e
imponuar ngaqë mësohet në shkollë, ësht e normuar, shquhet me formula dhe klishe gjuhësore, përjashton
arkaizmat, regjionalizmat, dialektizmat, historizmat etj. dhe ka zgjedhje të
kufizuar mjetesh leksikore e sintaksore.
Gjuha
letrare, në anën tjetër, ësht vetëm një nga stilet funkcionale të gjuhës
standarde, ësht individuale, e
përdor një autor ashtu qysh i vjen më së mbari e më së lehti, konotative, ngaqë ësht e shumkuptimshme, fut në përdorim trajta jonormative, duke qenë se shkrimtari
ësht i lirë, aj përdor arkaizma, regjionalizma, dialektizma, historizma dhe ka
një zgjedhje të pakufizuar të mjeteve leksikore e sintaksore.
Nëse
e kthejmë këtë mënyrë shqyrtimi në gjuhën shqipe e kuptojmë shum lehtë këtë. Na
kemi tri gjuhë letrare që janë zhvillu e ravizu historikisht: gjuhën letrare të
gegërishtes, të toskërishtes dhe të arbërishtes.
Gjuha letrare e gegërishtes
nis me Buzukun dhe vazhdon me Budin, Bardhin, Bogdanin, Vaso Pashën, Ndoc
Nikajn, Konstandin Kristoforidhin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Filip
Shirokën, Gjergj Fishtën, Migjenin, Haki Stërmillin, Vinçenc Prennushin, Ernest
Koliqin, Kapllan Resulin, Martin Camajn dhe vazhdon edhe sot me krijues të rij
letrarë.
Gjuha letrare e
toskërishtes nis me Perikopenë e Ungjillit e
vazhdon me Nezim Frakullën, Hasan Zyko Kamberin, Muhamet Kyçykun, Vëllezërit
Frashëri, Çajupin, Asdrenin, Faik
Konicën, Fan Nolin, Lasgush Poradecin, Mid'hat Frashërin, Petro Markon, Sterjo
Spassen, Kasem Trebeshinën, Dritëro Agollin, Jakov Xoxën, Ismail Kadarenë e sot vazhdon me krijues të rij letrarë.
Gjuha letrare e
arbërishtes nis me Lekë Matrëngën e vazhdon me Nikollë
Filjen, Jul Varibobën, Jeronim de Radën, Françesk Santorin, Gavrill Darën të
Riun, Bernard Bilotën, Zef Seremben, Vorea Ujkon, Françesk Solanon (Dushko
Vetmon), Karmel Kandrevën, Zef Skiro de
Maxhion e sot vazhdon me krijues të rij letrarë.
Këto
tri gjuhë letrare kanë veçoritë e tyre fonetike, morfologjike e sintaksore.
Por, po ta vështrojmë si tërësi, që të tria do të duhej të përbënin tri
shtyllat, tri burimet e gjuhës standarde shqipe, prej të cilave kjo gjuhë
standarde do të duhej të ushqehej vazhdimisht. Vështrimin më të plotë, në një
vend, për këto tri gjuhë letrare e ka dhënë Martin Camaj në Gramatikën Shqipe
të tij, botu me 1982.
Në
anën tjetër, në historinë e gjuhës shqipe kemi pasë dy gjuhë standarde shqipe:
një gjuhë standarde të elbasanishtes,
themelu nga Komisia Letrare Shqipe 1916-18, e cila ka funkcionu në Shqipërinë
Administrative deri në vitin 1945, në Shqipërinë Administrative dhe
Irredentiste nga viti 1941-1945 dhe ka vazhdu vetëm në Shqipërinë Irredentiste
deri në vitin 1968. Veçori e kësaj periudhe ësht se vërtet toskërishtja letrare
mbeti e përjashtuar nga ky standard, por nuk u ndalu. Ajo vazhdoi të përdoret në
letërsinë e në shtypin e kohës.
Me
1945 ndodhi jo vetëm një përmbysje e standardit të mëparshëm të elbasanishtes,
por, fatkeqsisht, edhe një ndalim i shkallëshkallshëm i gegërishtes letrare. Me
1972 u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit, ku u kurorëzu kjo përmbysje dhe bazë e gjuhës standarde shqipe u vu toskërishtja.
Përdorimi i gegërishtes letrare u ndalu krejtësisht.
Me
rënien e regjimit enverist, në vitet nëntëdhjetë, përdorimi i gegërishtes
letrare u ringjall. Tash ka shum autorë që shkrujnë në gegërishten letrare dhe
kjo ësht një gjë shum e mirë. E përmbledhur shkurt, kjo ësht një pamje e gjuhës
shqipe e shpjeguar në terma të sotëm sociolinguistikë. Edhe arbëreshët
vazhdojnë të kultivojnë gjuhën letrare arbëreshe.
A do të thotë kjo që
mbas 1972 e deri më 1991, në Shqipni (nuk kam parasysh zhvillimet në Arbëni apo
në Kosovë) na kena pasë vetëm letërsi toske, vetëm media në gjuhën letrare toske?
Përmbysja e standardit të elbasanishtes shkaktoi humbje të panevojshme
energjish intelektuale që ishin investu që nga viti 1916. Sado që ende nuk
ishte stabilizu sa duhet, megjithatë, ajo funkciononte dhe mund të përsosej më
tutje. Edhe kur u vendos si standard thuhej qartë që merrej kjo elbasanishte
"me përmirësime të nevojshme" që duhej t'i bëheshin në të ardhmen. Ajo
që do të duhej me u bë, fjala vjen, kish me qenë futja e rotacizmit në
standardin e elbasanishtes. Ç'ësht e vërteta, nevoja për përmirësime e
plotësime ësht lënë e hapur edhe për standardin e vititi 1972. Por, disa
gjuhëtarë edhe sot ngulin këmbë në paprekshmërinë dhe pandryshueshmërinë e
këtij standardi. Ky ësht gabim. Nuk ka standard gjuhe që të mos ketë nevojë për
përmirësime të vazhdueshme. Aq më shum nëse këto ndryshime krijojnë kushte për
një konvergjencë edhe më të madhe, lehtësi edhe më të madhe për të gjithë
shqiptarët, për me nxënë gjuhën standarde. Këtij qëllimi i shërben futja e
paskajores së mirëfilltë në standardin e sotëm.
Le
të mos harrojmë që ndryshimi i bazës së gjuhës standarde shqipe nga
elbasanishtja në toskërishte ndodhi pa ndonjë konsultim paraprak. Megjithatë,
kjo tashmë ësht histori. Po të kishte mbetë elbasanishtja gjuhë standarde
shqipe, toskërishtja letrare do të mbetej e mënjanuar dhe pa ndikimin
gjithshqiptar që ka sot. Nëse ka diçka të mirë pas përmbysjes së standardit të
elbasanishtes, atëherë ësht pikërisht sigurimi i një pozite shum më të fuqishme
për toskërishten në këtë periudhë. Kjo, padyshim, i ka dhënë shqipes një
energji të re. Por mënjanimi i gegërishtes e ka dobësu po kaq. Nëse paskajorja
e mirëfilltë gjen vend në këtë standard të shqipes besoj se ajo do të
kompletohet dhe në të ardhmen nuk do të ketë mundësi që të vihen në pyetje
bazat e saja, ashtu qysh ka ndodhë deri tash.
E
vërteta ësht që letërsia në toskërishte lulëzoi edhe mbas vitit 1945. Në kohën
që letërsia në gegërishte shkoi duke u vyshkë nga ndalimet e revistave, mbyllja
e shkollave, përndjekjet, arrestimet, pushkatimet e shum intelektualëve etj. Natyrisht,
shkatërrimi i tmerrshëm sistematik i Shkodrës, djepit të kulturës shqipe dhe
qendrës së zhvillimit të gegërishtes letrare nga ana e regjimit enverist ësht i
pafalshëm. Kjo ka shkaktu dëme të mëdha, të pakompensueshme për kulturën shqipe.
Keqkuptimi i madh i kësaj periudhe ishte që gjuha letrare u identifiku me
gjuhën standarde.
"....GJUHA E SOTME
SHQIPE KA VULËN E ENVER HOXHËS." VËRTET?
Ka pasë debate për
rishikim të standardit, madje dhe nji organizim në nji Këshill Ndërakademik për
gjuhën, por asnji veprim konkret deri më tani. Mendoni se kjo vjen nga
ngurtësia e qëndrimit të disa gjuhëtarëve, sigurisht të rritun, edukuem, që kanë
studiue në kohën e komunizmit, gjuhëtarë që duhet thanë sot drejtojnë
institucionet kyçe të Tiranës ku merren vendime për toskënishten?
Debati për rishikimin e standardit ka veçori të një vazhdimi të këtij
keqkuptimi ndërmjet gjuhës standarde dhe gjuhëve letrare. Kjo po shkakton
përplasje dhe debat shpesh të panevojshëm. Një grup gjuhëtarësh të kohës së
diktaturës staliniste, kërkesën për ndryshimet e domosdoshme të gjuhës
standarde shqipe, po e përjeton si rrezikim të statusit të toskërishtes. Ësht e
vërtetë që toskërishtja ësht vënë në bazë të këtij standardi, por reagimi nga
një grup gjuhëtarësh toskë që kjo gjuhë standarde me mbetë e paprekshme ësht i
pakuptimtë. Ësht pohu tashmë edhe nga studiuesja amerikane, Janet Byroni, që
dialekti jugor i shqipes u imponu nga regjimi enverist edhe për faktin që udhëheqësit
politikë të shtetit shqiptar pas vitit 1945 ishin kryesisht jugorë.
Por, në çastin që gjuha standarde shqipe ka marrë toskërishten letrare si bazë, ajo ka nisë edhe distancimin nga kjo gjuhë letrare, për me u vënë në shërbim të të gjithë shqiptarëve. Distancimi i gjuhës standarde nga toskërishtja letrare mundëson afrimin me gegërishten letrare dhe me arbërishten letrare. Vetëm kështu plotkuptimësohet funkcioni dhe statusi i saj si gjuhë standarde.
Mendoj
se pikërisht këtu qëndron keqkuptimi i 20 intelektualëve, që të gjithë toskë,
përveç një mirditori enverist, të cilët iu drejtuan kryeministrit të Shqipërisë
(e jo edhe të Kosovës) me një letër të hapur në vitin 2014. Në gjithë letrën
ata e identifikonin gjuhën letrare toske me gjuhën standarde shqipe. Dhe ky
fakt ësht shum domethënës. Megjithëse shumica e nënshkruesve të letrës janë gjuhëtarë,
autorë librash për mësimin e "gjuhës standarde shqipe", në letrën e
tyre ata nuk e përmendin qoftë edhe një herë të vetme sintagmën "gjuhë
standarde shqipe". A ësht rastësi kjo? Si u bë që autorët e librave për
mësimin e "gjuhës standarde shqipe" të "harrojnë" këtë
fakt? Nëpër gjithë letrën të njëzetit e
letrës përmendin vetëm "gjuhën letrare", "gjuhën e njësuar"
por jo edhe "gjuhën standarde shqipe".
E
vërteta është që asnjëri nga akademikët shqiptarë në Këshillin Ndërkademik nuk
po kërkon ndryshim apo ndërhyrje në gjuhën letrare toske, për të cilën
vetëdijshëm apo pavetëdijshëm i ankohen kryeministrit këta intelektualë. Në
gjuhën standarde shqipe duhet të bëhen vazhdimisht ndërhyrje, përmirësime,
plotësime dhe punë të ndërgjegjshme nga të gjithë gjuhëtarët shqiptarë.
Gjuha standarde shqipe duhet me pasë një këshill të përhershëm i cili do të kujdesej për të, sepse ajo nuk ësht pronë e asnjë grupi të veçantë toskë, gegë apo arbëresh, as e Jugut, as e Veriut, as e Partisë së Punës, as e asnjë partie apo grupi të veçantë. Gjuha standarde shqipe ësht e të gjithë shqiptarëve, duke qenë se ësht projekt politik i përbashkët dhe pjesëmarrja e të gjithë ekspertëve shqiptarëve aty ësht e domosdoshme.
Keqkuptimi
ka shku aq larg sa këta gjuhëtarë të epokës staliniste me fushatën e ndërkryer kundër
anëtarëve të Këshillit Ndërakademik – që të gjithë studiues, gjuhëtarë dhe
profesorë të shqipes – thanë se këta po e "shkatërronin gjuhën shqipe",
se këta qenkëshin edhe "jeniçerë"! Kush e thoshte këtë? Njeriu që kishte
pohu se gjuha standarde mbante "vulën e Enver Hoxhës"! Ata e qujnë të
pavlefshëm dhe jokompetent këtë Këshill Ndërakademik që përbëhet nga gjuhëtarët
më të mirë shqiptarë sot, ndërsa vetë marrin kompetencën që të propozojnë
ndryshime pa asnjë ngurrim, duke botu edhe fjalorë drejtshkrimorë! Pra, kjo e
shpjegon më mirë gjendjen e mjerë në të cilën gjendet trajtimi i gjuhës
standarde shqipe sot dhe hutesa rreth asaj se çfarë ësht gjuhë standarde e çfarë
ësht gjuhë letrare dhe kush ka e kush nuk ka kompetenca për ndryshime e
plotësime.
Pse
ndodh kjo?
Nëse
e shikoni me kujdes, të gjitha ndryshimet që janë bë në Shqipërinë
Administrative kanë ardhë si rezultat i presionit nga jashtë, i përshtatjes me
rrethanat e reja në mjedisin politik. Fjala vjen, reforma politike nga sistemi
politik socialist në atë kapitalist, reforma ekonomike nga ekonomia e
centralizuar në ekonomi të tregut të lirë, nuk quhen kthim mbrapa në sistemin
në të cilin kishte qenë Shqipëria para vitit 1945, por quhen zhvillim përpara.
Vetëm reformat kulturore quhen "kthim mbrapa". Kjo vjen ngaqë ana
politike dhe ekonomike kishin dhe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me faktorin ndërkombtar
dhe presioni për t'u përshtatë erdhi prej atje. Në anën kulturore ky presion
duhet me ardhë nga brenda, prej vetë shqiptarëve. Asnjë plan politik enverist,
asnjë plan ekonomik stalinist nuk mundet me u paraqitë sot si një plan i
vlefshëm e serioz, për arsyen e thjeshtë se nuk ësht funkcional. Nëse ësht
kështu, kjo do të duhej me vlejtë edhe për planet kulturore që kërkonin
krijimin e "njeriut të ri". E vërteta ësht që "njeriu i ri"
u kriju në kohën e regjimit enverist, por "njeriu i ri", të cilit, sapo
iu paraqit mundësia e parë, iku prej Shqipërisë për me u bë "njeri i
vjetër".
Më
duhet, pra, me u pajtu me një pjesë të pyetjes tuaj që përmban edhe përgjegjen
për këtë gjendje: grupe me mendësi diktatoriale, bartës të "vulave të
Enverit", po bëhen pengesë që po i ngadalësojnë reformat edhe në fushën
kulturore shqipe. Kjo dëshmohet shum mirë në atë letrën që 20 intelektualët ia
drejtuan kryeministrit. Të njëzetit e letrës thonë:
"Ndërhyrjet
në të [sipas tyre, "në gjuhën e njësuar letrare"] jo vetëm që nuk
mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti "të diturish", por
duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të
institucioneve publike dhe të shoqërisë."
Pra,
këta bartës të "vulës" së Enver Hoxhës në letrën drejtu kryeministrit
të Shqipërisë (por jo edhe të Kosovës) pohojnë:
a)
"ndërhyrjet nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti 'të
diturish'",
b)
"duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të
vazhdueshme të institucioneve publike"
Profesorët
dhe shkencëtarët e dy Akademive Shkencore të Shqipërisë e të Kosovës quhen
"një grusht "të diturish" (përgatitja e tyre shkencore vihet në
pyetje dhe futet brenda thojzash), e në anën tjetër kërkohet që shqipja duhet
me qenë "pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të
institucioneve publike". Kur lexohet kjo shtrohet pyetja e logjikshme:
"A janë dy Akademitë Shkencore institucione publike apo jo?" Apo më
publike janë grupet që mblidhen për të nënshkru një apel kryeministrit të
Shqipërisë, (por jo edhe të Kosovës)?
Kur flasim për
rishikim të standardit, a mund të thomi që pjesën ma të madhe të punës e ka ba
Komisia Letrare 1916-1918, pra a mund të mbështeten sot gjuhëtarët te vendimet
e asaj kohe, sigurisht duke u përshtatë me ndryshime që i ka diktue koha?
Komisia Letrare Shqipe i ka vendosë bazat kryesore mbi të cilat ësht ndërtu gjuha
standarde shqipe. Ndihmesa e kësaj Komisie ësht shum e madhe. Në përbërjen e
vet Komisia ka pasë përfaqësues të balancuar nga të dyja kryedialektet e
shqipes. Kryetari i Komisisë ka qenë toskë (Dr. Gjergj Pekmezi). Kjo imponoi që
gjatë kërkimit të zgjidhjeve dhe vendosjes së rregullave të merreshin parasysh
edhe gegërishtja, edhe toskërishtja. Si bazë, me propozimin e Luigj Gurakuqit e
me pajtimin e të gjithë anëtarëve, u vendos të merrej elbasanishtja. Një
gjuhëtar i huaj, Rajko Nahtigali, u ftu që të bënte hulumtimin dhe vlerësimin e
këtij vendimi. Në pranverë e vitit 1917 aj erdhi në Shqipëri dhe shkroi një
raport për këtë çështje. Mbështetës i kësaj ideje ishte edhe albanologu
austriak, Maximilian Lambertzi, anëtar i Komisisë Letrare. Një gjuhëtar vendas,
pikërisht nga Elbasani, Aleksandër Xhuvani, u ftu nga Komisia dhe iu dha detyra
që të përgatiste tekstet për mësimin e elbasanishtes.
Gjuhëtarët
e sotëm, natyrisht, mbështeten në vendimet e Komisisë Letrare Shqipe, sepse
vendimet kryesore të kësaj Komisie ishin shum vizionare. Na edhe sot shkrujmë
duke ndjekë shum rregulla të vendosura nga kjo Komisi. Por, nuk bëhet fjalë më për
zbatimin pikë për pikë të atyre vendimeve, sepse mbi ato vendime u kriju
standardi i elbasanishtes, i cili u destandardizu me 1945.
Elbasanishtja tash asht vetëm një fakt historik. Por, ajo që kish mujtë me u bë sot ësht që gegërishtja letrare me e marrë si bazë, si pikënisje, elbasanishten. Pra, shkrimtarët gegë me vendosë disa rregulla unifikuese duke u bazu në elbasanishte. Mirë kish me qenë që edhe në këtë gegërishte letrare me u futë në përdorim pjesorja e shkurtë. Kjo kish me kriju një afrim me gjuhën standarde shqipe, për të cilën fola.
E fill mbas kësaj
vjen pyetja për kontributin që ka dhanë Aleksandër Xhuvani tue hartue rregullat
e shqipes, mbi të folmen e Elbasanit, siç mori vendim dhe Komisia; a mundet që
tekstshkruesit e gjuhës shqipe për tana nivelet shkollore me u mbështetë të kjo
vepër?
Profesor Aleksandër Xhuvani gjysën e jetës ia kushtoi stabilizimit dhe mësimit
të elbasanishtes duke përgatitë kuadra mësuesish dhe tekste mësimore për këtë
qëllim nga viti 1919 e deri me 1945, dmth. për gati tridhjetë vite aj punoi me
zell e përkushtim për këtë qëllim. Në këtë kohë Shqipëria kaloi nëpër kriza të
mëdha politike e shoqërore të cilat pamundësuan një thellim të këtyre
studimeve. Gjuha standarde e elbasanishtes u bë gjuhë e oborrit mbretëror të
Ahmet Zogut, e administratës së asaj kohe, e ushtrisë dhe e shkollës.
Në
vitin 1940 u themelu Instituti i Studimeve Shqiptare, i cili kishte projekte më
konkrete dhe një nga më të rëndësishmet ishte hartimi i fjalorit të gjuhës
shqipe, për të cilin punoi Mustafa Kruja. Qysh e pohon edhe vetë në kumtesën e
tij, z. Kruja e kishte një version të fjalorit me standard të elbasanishtes. Por
aj planifikonte që duke u bazu në këtë fjalor të hartohej një fjalor tjetër i
mirëfilltë shkencor. As jeta e këtij instituti nuk ishte e gjatë, ngaqë sapo
mbaroi LDB, aj u mbyll. Projekti i fjalorit të Mustafa Krujës mbeti i
papërfunduar. Ndërsa nga viti 1945 gjuha standarde e elbasanishtes u përmbys.
Nisi një epokë e re me toskërishten si gjuhë standarde.
Tekstet
shkollore të asaj kohe janë të tejkaluara dhe nuk munden me u përdorë më. Duhen
me u hartu tekste të reja. Por, megjithatë, ndihmesa e Xhuvanit ësht e madhe
dhe gjendet e shpërndarë në çdo gramatikë të sotme të shqipes. Fjala vjen, shum
pjesë të ligjëratës që përdorim sot janë emërtu nga profesor Xhuvani.
Deri tash pyetjet i
kam ba e mbështetun në shpresën se ka me u ba diçka për gjuhën shqipe, ndërkohë
që nuk di nëse ekziston ndonji institucion apo a asht shprehë ndonji vullnet
nga gjuhëtarët vendimmarrës, se ‘po’, duhet me u ulë e me plotësue shqipen me veçori
për të cilat ka nevojë?
Krijimi i Këshillit Ndërakademik ësht një hap drejt gjetjes së zgjidhjeve të reja
dhe të nevojshme. Mundem me thënë se ky hapi më i mirë deri sot në këtë
drejtim. Shumica e gjuhëtarëve shqiptarë, qysh u tregu, janë për reforma e
plotësime. Një grusht dogmatësh janë të zhurmshëm, por nuk besoj se kanë me
pasë mundësi me ndalë procesin e domosdoshëm të reformave e të plotësimeve të
gjuhës standarde. Ishin ata që deri dje thoshin se "gjuha e njësuar
letrare" ka "vulën e Enver Hoxhës" dhe tani përpiqen të
manipulojnë me opinionin publik duke hedhë akuza tejet të pamatura kundër kolegëve
e tyre gjuhëtarë, duke thënë se çfarëdo ndryshimi në standardin e sotëm ësht
"shkatërrim". Kjo lë të kuptohet se gjuha standarde shqipe duhet të
mbetet e pandryshuar, ashtu qysh u vendos me 1972, me gjithë shkamjet,
inkonsekuencat dhe gabimet në shum pika të vendimeve.
Nëse
as gjuhëtarët e dy Akademive të Arteve dhe të Shkencave nuk mund të vendosin
për ndryshime, atëherë kush mund ta bëjë këtë? Kush mundet me pasë kompetenca
profesionale? Grupe që formohen duke mbledhë me 20 nënshkrime intelektualësh?
TË KRIJOHET NJË
BARASLARGËSI KUNDREJT GJUHËS STANDARDE SHQIPE
Asht qesharake me
mendue që sot në 2017, pavarësisht hapjes ndaj shumë lirive, gjuha shqipe,
duket se ka mbetë monopol i pak njerëzve, gjuhëtarë apo jo, të cilët shumë
zanave për rikthim të paskajores i përgjigjen ma shumë me argumente që mbajnë
ma shumë erë politikë, ku duket qartë partizanllëku i tyne për toskënishten e
’72-shit?
Kthehemi te thelbi i çështjes, te terminologjia. Nëse kuptohet drejt dallimi që
egziston ndërmjet gjuhës standarde dhe gjuhës letrare, realisht nuk do të duhej
me pasë asnjë problem. Problemi ësht që gjuha e sotme standarde identifikohet
me gjuhën letrare të toskërishtes dhe çfarëdo ndërhyrje përjetohet si ndërhyrje
në toskërishten. Këtë e dëshmon edhe reagimi i atyre 20 intelektualëve toskë. Nga
kjo pikë e kuptoj brengën dhe drojën e ndonjë gjuhëtari e të ndonjë letrari
toskë. Por, sapo të sqarohet kjo pikë, besoj se gjithçka bëhet e qartë. Gjuha
letrare e toskërishtes nuk duhet, as nuk mund të preket. Sa të ketë shkrimtarë
toskë, krijimtari letrare toske, do të ketë gjuhë letrare të toskërishtes. Por
gjuha standarde duhet me u trajtu si diçka tjetër, si gjuhë e të gjithë
shqiptarëve, si një kontratë gjuhësore e të gjithëve. Nëse që të gjithë jemi
pronarë të kësaj gjuhe, atëherë do të duhej me pasë edhe të drejta të njëjta
mbi këtë gjuhë. Një nga detyrat e gjuhëtarëve ësht të krijojnë një baraslargësi
sa më të përshtatshme për të gjithë shqiptarët kundrejt kësaj gjuhe standarde.
Dhe pikërisht Shqipëria e Mesme, aty ku po takohen gegërishtja e toskërishtja, në
Tiranë, aty ku po ndodh përzierja e madhe e të gjithë folësve shqiptarë, duhet
me u marrë si model.
Kur
Komisia Letrare Shqipe 1916-1918 bëri punën e vet dhe vendosi elbasanishten si
standard, nuk tha se kjo gjuhë standarde nuk mund të preket më. Përkundrazi,
tha se duhen me u bë "përmirësime të nevojshme". Nëse e shikojmë nga
ky kënd, përmirësimi i vetëm kryesor i elbasanishtes, nga këndi i toskërishtes,
do të duhej të kishte qenë futja e rotacizmit në atë standard. Kjo, për fat të
keq, nuk ndodhi atëherë. Ndodhi në rrethana të reja, me 1945, kur erdhi në
pushtet regjimi enverist. Nuk u bënë "përmirësimet e nevojshme", por elbasanishtja
u përmbys e tëra, u mohu si mos me pasë qenë kurrë. Mirëpo, ndodhi kompensimi i
asaj veçorie që mungoi në vendimet e Komisisë Letrare Shqipe dhe trajta me
rotacizëm u standardizu. Por pasojat e kësaj përmbysjeje nuk kishin me qenë
fare të dëmshme, bile do të ishin shum të dobishme, sikur bashkë me këtë të mos
mohohej edhe prania e paskajores në standardin e ri. Mosprania e paskajores në këtë
standard krijoi vetëm në situatë të përmbysur dhe ishte njësoj sikurse mosprania e rotacizmit
në standardin e vjetër, e cila prishi balancën dhe e bëri të pamundur
konvergjencën e suksesshme të të dyja kryedialekteve në një gjuhë standarde dhe
krijimin e një baraslargësie në mes të folësve gegë e toskë kundrejt një
standardi të përbashkët të shqipes.
Si mundet pra me u
rikthye kjo paskajore në formën ma të mirë e ma shpejt të asimilueshme nga të
gjithë? A mundet që media me dhanë kontributin e saj në përhapjen e përdorimit
të kësaj paskajoreje, edhe pse ajo kritikohet shumë për mosrespektimin edhe të
standardit në të shkruem?
Duhemi me pranu një fakt që, me gjithë ngjyrat ideologjike e krahinoriste që i
janë mveshë vendimeve për gjuhën shqipe në kohë të ndryshme, sidomos mbas vitit
1945, ka egzistu edhe një pamundësi praktike për me sjellë vendime të drejta në
këtë vijë. Në kohën e Komisisë Letrare Shqipe ka qenë e paimagjinueshme me paramendu
një gjuhëtar që kish me mundë me dalë e me propozu që në elbasanishte të
inkorporohet rotacizmi. Thjesht, njëmendësia gjuhësore nuk mundësonte një
vështrim të këtillë të problemit dhe si pasojë edhe vetë gjuhëtarët nuk mund të
imagjinonin një propozim të tillë. Po kështu, as në vitin 1972 – e për disa edhe
sot e kësaj dite - nuk mund të imagjinohet se si mund të inkorporohet
paskajorja e mirëfilltë në standardin me bazë të toskërishtes. Për këtë arsye
edhe nuk ka pasë asnjëherë një propozim konkret se si t'i jepej një zgjidhje
këtij problemi. Pra, kishte vazhdimisht ankesa, por s'kishte propozime konkrete
për zgjidhje të mirë e përfundimtare. Argumenti se shqipja standarde nuk mun me
pasë në sistemin e saj foljor dy pjesore – edhe "punue", edhe "punuar"
- qëndron. Gjuha nuk duron trajta të këtilla të dyfishta dhe gjithmonë përpiqet
t'i heqë ose t'i rrudhë në minimun.
Një zgjidhje e mundshme, të cilën ka më shum se dhjetë vjet që po e propozoj, ësht që të futet në standard trajta e shkurtë e pjesores "punu". Në këtë përfundim kam ardhë gjatë qëndrimit tem në Tiranë në vitin 1996. Aty jam bindë se kjo trajtë, në të folur, ka një përdorim të dendur edhe nga toskët që jetonin një kohë më të gjatë në Tiranë.
Kjo tregon se Tirana ishte bë tashme
një kazan gjuhësor, i cili do të duhej të merret si model i zhvillimi të këtyre
veçorive. Me futjen në përdorim të kësaj trajte të pjesores mendoj se krijohet
mjedisi i nevojshëm gjuhësor për futjen në përdorim të paskajores së mirëfilltë
("me punu"), pa kriju konflikt në sistemin e përgjithshëm foljor të
shqipes. Trajta e saj shfaqet si trajtë neutrale kundrejt trajtës gege
"punue" dhe asaj toske "punuar". Ësht më e thjeshtë dhe më
ekonomike. Me futjen e kësaj paskajoreje shqipes i shtohen mundësitë shprehëse,
gegëve u zvogëlohet distanca nga standardi i sotëm i shqipes dhe toskët, nëse
këtë nuk e ndiejnë të nevojshme, mund të mos e përdorin dhe të vazhdojnë me përdorimin
vetëm të trajtave të lidhores.
Edhe nji
pyetje që, në fakt, s’duhej ta kisha mendue me e ba, por ja që më ngacmon nji
gja: ju si gjuhëtar nga Kosova a e keni ndje nji shpërfillje deri në pakënaqësi
nga gjuhëtarët e toskënishtes për propozimet tueja apo të kolegëve tuej, qoftë
kosovarë apo ata arbëreshë?
Ka vite që nëpërmjet intervistash e shkrimesh jam përpjekë me e vendosë një
vijë të debatit duke paraqitë propozimet e mia. Nuk kam pasë ndonjë
kundërpërgjegje të argumentuar. Në fillim, kur kam dalë më këto ide e propozime,
kam pasë kundërshti të ashpra edhe në rrethin e miqve dhe kolegëve të mi, të
cilët tash, për fat të mirë, kanë nisë me kuptu e me i pranu këto propozime.
Disa me mirënjohje e disa me heshtje. Çdo ditë e më shum ka njerëz që më
shkrujnë se propozimi për pjesoren e shkurtë vërtet ësht zgjidhje e mirë dhe
kanë nisë edhe me shkru duke përdorë këtë pjesore. E dij se, për me u përhapë
ky propozim e me nisë me u përdorë prej shumicës, ka me marrë kohë, ngaqë
derisa me miqtë e mi kam pasë mundësi me debatu e me u argumentu gjërë e gjatë,
me të tjerë nuk kam pasë mundësi me bë këtë. Por shpresoj që në të ardhmen kam
me dalë me diçka më konkrete në këtë drejtim.
Për
me qenë krejt i çiltër, më duhet me thënë që e vetmja gjë që më bën të ndihem
pakëz i zhgënjyer ësht fakti që asnjë gjuhëtar toskë nuk ka dalë haptas në
mbrojtje të gegërishtes letrare, ashtu qysh doli në mbrojtje të toskërishtes
letrare Selman Riza, në vitin 1936, kur disa intelektualë gegë kishin nisë me u
ndi jo mirë pse, me gjithë standardin egzistues të elbasanishtes, toskët
vazhdonin me shkru toskërisht. Edhe në atë kohë kërkohej, thjesht, ndalimi i
toskërishtes letrare dhe përdorimi i saj shihej si një provokim dhe përçarje e
kombit. Ashtu qysh shihet sot nga disa toskë përdorimi i gegërishtes letrare.
Selman Riza e shkroi artikullin e tij "Shqiponja dhe shqipja", në një
toskërishte të kulluar, duke argumentu se toskërishtja duhej të shkruhej e të
kultivohej, ngaqë ajo paraqiste pasuri për shqipen dhe ishte krahu tjetër i
shqipes, ashtu sikurse koka tjetër e shqiponjës në flamurin tonë. Ky artikull dhe këto qëndrime ku Selman Riza i
doli në mbrojtje toskërishtes, më vonë, nga disa gjuhëtarë stalinistë, sidomos
nga Androkli Kostallari, u përdorën kundër Selman Rizës, për shkak se aj kinse paskësh
qenë për ndarje dhe jo për bashkim të shqiptarëve. Ky veprim mbetet një nga shpifjet
më të turpshme që ka ndodhë në historinë e albanologjisë.
Pse mendoni se deri
sot nuk asht marrë në shqyrtim pjesorja e shkurtë nga studiuesit e shqipes dhe në
ç'mënyrë pjesorja që e propozoni ju përshtatet në sistemin foljor? A mundeni me
na dhanë disa hollësi?
Sipas albanologes ruse Desnickaya, pjesorja e shkurtë ka nisë me u zhvillu si
dukuni në Elbasan. Mendoj se kjo nuk ësht e rastësishme, sepse në këtë qytet
dhe rrethinat e saj ka ndodhë takimi i gegërishtes me toskërishten. Dhe
shkurtimi ka ardhë edhe si pasojë e përpjekjes për me u përshtatë, për me u
unifiku si pjesore për të dyja kryedialektet, për me u paraqitë si një trajtë
neutrale. Mbas pushtimit otoman Elbasani ka pasë një zhvillim të madh ekonomik
dhe u kthy në një qendër të rëndësishme kulturore. Kjo gjë po vjen duke u
dëshmu gjithnjë e më shum edhe sot.
Tashti,
problemi më i madh i gramatikave të shqipes, që nga i pari, me 1710, e deri sot,
ka qenë dhe ka mbetë klasifikimi në mënyrë jo të kënaqshëm i foljeve të gjuhës
shqipe në zgjedhime. Ky problem nuk ësht zgjidhë deri sot, megjithëse janë bë
shum përpjekje nga të gjithë studiuesit e gramatikës së shqipes. Jam marrë me
këtë problematikë disa vite, kam studiu punën e shumicës së gramatikanëve dhe
duke shqyrtu punën e tyre kam arrijtë në një përfundim që, ndoshta, paraqet një
zgjidhje të këtij problemi. Gjatë kësaj pune kam vënë re që të gjithë
gramatikanët e shqipes, në lidhje me këtë problem, munden me u nda në dy lagje
të mëdha: në ata që marrin për bazë mbaresën e foljeve (fjala vjen "puno-j") dhe në ata që ndajnë një
prapashtesë (fjala vjen "pun-oj").
E mora si shembull këtë klasë të foljeve sepse kjo klasë përbën më shum se
pesëdhjetë për qind të numrit të përgjithshëm të foljeve të gjuhës shqipe.
Megjithëse kjo ndarje nuk duket e një rëndësie të veçantë, kur bëhet një
shqyrtim i thellë atëherë kuptohet se pikërisht këtu zë fill gjithë problemi:
te kriteri i qartë se ku do të bëhet kjo ndarje. Përfaqësues të lagjes së parë
(ata që për kriter kanë marrë mbaresën –oj),
janë F. da Lecce, S. Frashëri, K.
Kristoforidhi, A. Xhuvani, Cordignianoja, Kostallari, Newmarku etj. dhe
përfaqësues të lagjes së dytë (ata që për kriter kanë marrë prapashtesën –j), janë G. von Hahni, De Rada, I. D.
Sheperi, Manni, S. Riza, Sh. Demiraj, M. Camaj, W. Fiedleri etj. Sipas meje, përfaqësuesit e lagjes së
parë, pra, ata që e marrin si kriter prapashtesën –oj, kanë kritere më të qëndrueshme e më të kënaqshme. Por, zgjidhja
e kësaj faze të parë, ka qenë një vështirësi që ësht tejkalu pa shum probleme. Një
tjetër problem që e ka vështirësu dhe e ka pamundësu zgjidhjen përfundimtare të
këtij problemi ka qenë paqartësia e kritereve për ndarjen e foljeve në folje të
rregullta dhe të parregullta. Bile mundem me thënë se ky ka qenë edhe shkaku
pse asnjë zgjidhje deri sot nuk ka qenë e kënaqshme.
Ju po thoni që mungesa
e kritereve të qarta për ndarjen e foljeve në të rregullta e të parregullta ka
shkaktu hutesë te gramatikëhartuesit e deritashëm. A mundeni me na dhanë një
sqarim ma të hollë për këtë problem të foljeve të parregullta?
Nga
të gjithë gramatikanët e shqipes ka pasë mospajtime edhe rreth klasifikimit të
foljeve të rregullta, por këto mospajtime, megjithatë, nuk kanë shku shum larg.
Klasat e mëdha të foljeve janë identifiku mjaft lehtë. Fjala vjen, klasa me –oj (punoj), -ej (shërbej) etj. Në bazë të kësaj unë i kam nda gramatikanët në dy
lagje. Por, kur vjen fjala te kriteret e klasifikimit të foljeve të
parregullta, në specifikimin se cilat janë folje të parregullta e cilat jo, më
duket se nuk gjenden dy gramatikanë të shqipes që pajtohen në këtë pikë. Që të
gjithë kanë kritere të ndryshme. Dikush njeh 10, dikush 11, një tjetër 17, 23,
56 folje të parregullta në gjuhën shqipe. Megjithëse numri i foljeve të
parregullta nuk ësht i madh, problemi që ka shkaktu klasifikimi i tyre ësht aq
i madh sa ka bë që deri sot të mos ketë një zgjidhje të kënaqshme të
klasifikimi të foljeve shqipe në zgjedhime.
Le
të renditim disa autorë që specifikojnë numrin e foljeve të parregullta shqipe
në gramatikat e tyre: Giacomo Jungu (1881) njeh 38 folje, Sami Frashëri (1886)
56 folje, Pashko Vasa (1887) 11 folje, Sevasti Qirias Dako (1916) 50 folje,
Koço Tasi (1923) 26 folje, Margaret Haslucku (1932) 10 folje, Shaban Demiraj
(1976) 17 folje, Rami Memushaj asnjë folje. Qysh shihet vetëm nga këta pak
autorë, specifikimi i foljeve të parregullta paraqet një laramani të
papajtueshme: nga autorët që nuk njohin asnjë folje të parregullt, në ata që
veçojnë 50 e kusur të tilla. Vetëm kjo tregon se sa i vështirë e i ndërlikuar
ësht problemi i foljeve të parregullta shqipe.
Gjithë
ky problem paraqitet kaq i vështirë për arsyen e thjeshtë ngaqë kriteret që
janë marrë parasysh nga secili gramatikan për këto klasifikime janë nga më të
ndryshmet. Dikujt mundet me iu dukë që numri prej 56 foljesh të parregullta i
Sami Frashërit ësht tepër i madh, por, si duket, pikërisht Samiu ka qenë mjaft
afër zgjidhjes së problemit. Këtu ka shkëlqy edhe një herë mendja e
jashtëzakonshme e tij, sepse në kushtet kur ka punu aj, pa fjalorë të shqipes,
pa gramatika të shqipes, pa një pasqyrë të qartë të numrit të përgjithshëm të
foljeve me ardhë në përfundime kaq të sakta ësht një arritje e jashtëzakonshme
që vetëm një Sami ka mundë me bë. Fatkeqësisht, megjithëse i asht afru mjaft,
as aj s'ka arrijtë me dhënë një zgjidhje përfundimtare.
Kriteret
që unë kam marrë parasysh, një shekull e kusur mbas Samiut, janë të thjeshta:
a)
për klasifikimin e foljeve të rregullta do të merren trajta e tashmores
dhe thjeshtores së foljeve në mënyrën
dëftore dhe
b)
për klasifikimin e foljeve të parregullta do të merren trajta e thjeshtores së
foljeve në mënyrën dëftore dhe trajta e pjesores.
Sipas këtij klasifikimi dalin rreth 66 folje të parregullta në gjuhën shqipe. Vërtet numri i foljeve të parregullta duket më i madh, por kjo zgjidhje garanton një stabilitet të klasifikimit të foljeve në zgjedhime me kritere të qarta. E paraqita në mënyrën sa më të përmbledhur që ësht e mundur një problem të pazgjidhur për tre shekuj e kusur të shqipes. Por, në ndonjë rast tjetër, kam me i paraqitë të gjitha këto në mënyrë më të përimtësuar.
Duke
qenë se jemi në këtë temë më duhet me shtu që as klasifikimi i emrave dhe
mbiemrave nuk ka pasë një zgjidhje të kënaqshme dhe përfundimtare, kështu që ka
mjaft punë edhe në këtë drejtim.
Pse ka randësi gjithë
ky shqyrtim i klasifikimeve të klasave të fjalëve të shqipes? A mos është ky një
debat profesional që nuk do të duhej me pasë ndonjë efekt te ata që nuk kanë
ndonjë njohje të gramatikës?
Le
ta shohim nga ky këndvështrim: debati i biologëve rreth përbërjes së qelizës
ësht debat të cilin pak njerëz joprofesionistë mund ta kuptojnë. Por,
përfundimet që dalin nga këto debate paraqesin çelësin e zgjidhjes për gjetjen
e barnave efektive për sëmundje të ndryshme. Kështu që debati për klasifikimin
e foljeve në zgjedhime, të emrave në lakime etj., ka efektin e vet për
zgjidhjen e problemeve të gjuhës standarde shqipe, për përpilimin e gramatikave
më të thjeshta dhe, si rezultat, edhe për nxënien e gjuhës shqipe në mënyrë më
të kënaqshme. Pra, njerëzit që nuk janë profesionistë të kësaj fushe, mund të
mos kuptojnë debatin, por janë pikërisht ata që do të kenë më të lehtë të
mësojnë gramatikë e shqipes, janë ata që do të përfitojnë më së shumti nga
rezultatet e këtyre shqyrtimeve.
Klasifikimi
i qartë, i kënaqshëm, efektiv mundëson që të krijohet një pasqyrë e qartë e
gjendjes së sotme të shqipes dhe e drejtimit kah mund të çojnë këto zhvillime. Pavarësisht
që trajtën "punu" e kam përdorë gjithë jetën në të folur, ideja e
parë që kjo të përdoret edhe në të shkruar më erdhi me 1996, në Tiranë, por
edhe për mua në atë kohë kjo më tingëllonte ende si një ide e marrë. Nuk hoqa
dorë nga kjo ide, por nuk merrja guxim me e përdorë në të shkruar, sepse nuk
kisha ndonjë arsyetim të fortë pos faktit se përdorej shum. Mbas një shqyrtimi
të thellë të foljeve të shqipes e pashë qartë se kjo ishte një zgjidhje e mirë.
Ata që kundërshtonin futjen e paskajores së mirëfilltë në gjuhën standarde
shqipe me argumentin se kjo do të nënkuptonte përdorimin e dy pjesoreve brenda
një sistemi foljor ishte argument me vend. Por, me futjen
në përdorim të pjesores së shkurtë, ky argument bie në ujë. Tash, jo vetëm që
nuk kemi dy pjesore, por kemi një pjesore të shkurtë, më ekonomike. Për më
tepër, kështu gjendet një mes i artë, i munguar, që e pajton dhe harmonizon
toskërishten me gegërishten brenda një gjuhe të vetme standarde shqipe. Për
mua, kjo ësht dhe mbetet një zgjidhje ideale
Gilmana BUSHATI
Agim Morina ka studiu letërsinë dhe gjuhën shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Nga viti 1999 ka punu si mësues i gjuhës shqipe për të huaj në Londër.
Comments
Post a Comment