Ada Halilaj: Kputu, kputu e shkele diellin






Biografia e grues që s'njoh


Kputu.
Kputu.
Shkele diellin,
gur i zi,
përplasu.
Ther njenin nga tre trupat,
me thiken prej gjalpi
shenjën e stinës
muros
në shtratin e yjeve të freskët
të lamë me kujtesë.

Pi ujin
e kafshës në shportë,
del në andërr
të mishit që plagës
ia vret gjuetarin.

Kputu.
Kputu.
Bjer
Merr me vedi
krypën e paqësorit
varkën me kashtë
gjumë e fëmini.
o
nji vdekje ma shumë,
sa me të dallu prej tjerave.




***

Jam goja e lshume
nëpër qiell
pres
pres prej kurmit tij
me ra britma  e bardhë.
Me ma mbush dhimbjen
me zbraztinë
e ditën e shtatë çmendive t'mia,
me teshat e andrrës nën krye
n'ujë e gjak e lule
gjumi me m'zgidh sytë!




***


N'veshin e mbramjes
n'Viale Adriatiko
gulçon ûja jote, Luizë.
Goja e gjumit
s'pushon tuj t'pritë.
S'di ça stine bjen n'ty.
N'cilin muej t'vdes dielli.
N'cilin damar t'janë lidhë kuajt e harrimit
Veç s'ke ma luftë,
as zâ
e britmat harrojnë me t'u shkye prej trupit
kur
gjashtë yje ti shpojnë gjashtë plagë,
e
mbi nënkresën e territ
pikojnë të ngrimë
sytë e tu.
Kambët e gjata
i mblon me natë
nji flok mëndafshi mbyt n'detin e vlum
Ti,
që diten e krijimit,
fërkoje murin
e ajrit
lejla.
Ti që then qiellin me gur pambuku,
ti, Luizë
dora n'fyt t'Zotit
trupi mbi zjermin si bishë
rrapatoset andshëm,
lshon eren e ndalume
mishin e mjegullt
mjaltën e t'dielave n'Malin e Bardhë
Luizë,
n'minaren e Kalonit
vetvritet mitra jote e palumtun.
Lulet e gjinjve janë gati që parvjet.
Lëkura e krehun me gishta,
gjithashtu.
Nji burrë i vogël ka t'qeshunen e madhe.
Nji burrë i vogël, mungon.
Vetmia
kje mosha jote e parë.
Dhimbja
dhomë e dytë
n'nji shtëpi që fluturon nëndhè.
Por...
Luizë,
Luizë,
kjo poezi
s'asht për ty.




***


Unë vij nga harresa.
Nga nji tokë ku gjaku që kam
asht gjaku që shoh tuj m'lan.
Vij nga sytë
e fmive t'shterptë.
Nga shputa e zezë e dritës
prej shkelmit të asgjasë
shkputem.
Vij nga harresa,
vij me zogj të mekun,
me eshtnat e kohës n'xhep.
Me shpellë t'ndryme n'gjoks,
kërkoj dritë.
Mbi dhè mbështes kryet,
nji Zot i vogël kambët mi fërkon.
Më pshton prej teshave t'bardha t'jazës.
Lakuriq.
E përsosun.
Ajri n'mu vrapon i lirë,
Përzihet n'mishin tem agu,
paqja,
britma e gjallnisë.
Jam
dy pllambë nën vedi.
Jam,
tuj harru me kenë.
N'harreseë
Përtej lëkurës,
yje larg rrënojave,
poezia mi ndyn frymët.
Vakt asht kafshata
e preme n'tre.
Përtej meje,
n'lumin e shterrun
nji nanë lag trupin me natën e vokët,
Përtej nanës,
nji kafshe n'bukë t'thatë tjerr jetën.
Harresë!
Harresë!
Të jepem!



***

Dhimbja 101.
Me gjokset plot vrap shtrigash
ujis oborrin e vdekjes përbri.
Ajo gjun driten me gjuhë të thatë.
Un rrxohem n'prehnin matern t'mizave.
Dhimbja 122
I ndjej tana uritë.
Por asnjena s'ngulet n'mue.




Vrasje n'Jug t'Aortes


Britmat ia vallzojnë mitrën natës përqark.
Dikush lun me blinin e shkrehun n'mes eshtnave.
Dikush mbyt ftyren e lumit n'muret e shtëpis.

Dikush t'shtrëngon,
po prej meshës tande zvarritet veç shi i mekun.

Fryn me përgjërim era e flokve tu.
Fryma e mermert lundron festave t'trishtimit.
Muza e ninullës çmendet nën shkeljen tande vertikale.

S'je ma mornicë e ksaj lëkure
vjerr n'pritje.

Pajtohesh me asgjanë.
T'ndi tu hesht dhembsuni e du të t'bahem heshtje.
Du t'lshoj n'zemren itake nji zog t'përjetshëm.

Du t'përkulem mbi asgja.
Gojë e yllt.
Ujè e ashpër.
Ngjizje bujare.

Tash Perëndimi t'mbështetet n'buzë.
Jeta prej syve tërhek t'fundit grep.
N'kopshtin e përhimtë t'andrrës
zgjohen drerët shtegtarë.

Nji prej tyne
asht nji prej nesh.




(Pre-Akt)


Sytë e kalit shkojnë n'meshë natën e dhembjes.
Dritë i bahet ylli që digjet mbi kryqin e drunjt.
Zoti,qosheve t'rrethit
përkund fëmi prej uji.
Sytë e kalit lagen.
Sytë e kalit presin.
Shtrigat n'pajë vijnë me krye t'kputun.
(Akt)
Butësisht lëkura i pëshpëritet gjumit.
Trupi shpërthen heshtjen.
Rranjët,
Ma të vjetra se mishi i pambuktë,
për kyçin e vdekjes m'lidhin.
Shëtisin rrugëve sandalet e mia t'reja,
pa mu.
Britma e bukës m'fton n'sofër.
Po unë kohë për ujè nuk kam.
N'gjoks m'kan murosë kafshën e lirisë.
Me thonjtë e mprehtë hap nji gropë t'kuqe,
gjaku që derdhet n'fyt,frymë m'bahet.
(Post-Akt)
Gruaja n'kantinë ka buzë të frikshme,
shpindë me anije t'fundosuna
thembra t'ligshtume.
N'gojë ndryn shtëpine e fminisë.
Gruaja fërkon murin.
E zbut.
E tkurr, e ban grusht, e lshon përdhè.
E muri
guxon me kja.



***

Bernadette vdiq n'luftën e dytë t'prandverave.
Fryma i rrëshqiti prej gojës t'kaltër.
Kapërdiu qiellin,ujin e tij t'përgjumun,
e dhambët e britmës copëtun qoshet e fundit t'mishit.

Fryu jeta e saj
si Stina ma e vjetër që mbaj mend.
Si Ajri ma i egër që përtyp pyllin.
Si Damari i etjes ma t'namun.
Bernadettes
Pafajsia i lujti gjatë me thinjat e territ,
u kthy e puthi dihatshëm bregun tem t'korbt.
Kambët ia lau dielli i andrrës
Me bohçen plot ftonj t'vjetshëm
fluturoj prej trupit t'këputun
n'shtratin e vetmisë belbane...
Erdhi.
Mi zbloi krahët prej pluhnit t'lotve.
Me zogjt e fshehun n'kpuc
përkundi nji grusht hi...
Dikur flakë.
Dikur zjerm.
Bernadette,
telegrami mbrriti n'paqen e dyt t'prandverave.
Oh, shkrimi jot i keq.
Pa lamtumirë
Gjunjzvarrë
ia lypi eshtnat stuhisë,
e nata,
gropë e frikshme
m'përpin,
për s'mrapshti m'përpin.



***


Soleil,
ka pak shekuj që drita mi ther qoshet e kafazit.
Ndi nji ujè t'bardhë tuj m'rrethu frymën.
Ndi stuhinë e flutrave jashtë mureve t'tërbimit.
Ndi flakën
sa herë ushqen ashklat me kafshën e fjetun.
Ndi kyt terr t'fjolltë mbi pullazet e Viandenit
kur m'tret me gjithë ujin e skeletit pudik.
Soleil,
terr i territ tem,
ti nuk e din,
m'kanë kallëzu moshën n'vend t'prrallave,
n'zemren e nji varke kanë strukë ferren e trupit.
Profecia e saj mi ngut dihatjet
prandaj flas tuj u mbshtet te zori e te pritja.
Per Ata jam bija e mramjes.
Mramja,terr i territ tem,
n'mu ka shijen e teshave t'dhimbjes,
t'shkuemes,
t'shtëpis me damaret e zgidhun prej gjakut.
Soleil,
jeta m'kapërceu tuj m'fal për faljen
(ancora e ancora)*
Sytë e saj u sulen kah ardhja.
Sytë e saj ishin ardhja e syve tu.



***


N' Tetor 1984 ti je aty.
Kmishat mishtore t'Agnesës t'varrosin n'klithmën teme.
Te ti koha asht pyetje e vogël,
t'kafshon e s'ndin gja.

Unë po,
n'turravrapin e shekujve erudit
jam gjitar i kohve,
njoh veç pamvarsin e manit tand parzmor.
Sa herë ndryhesh jashtë n'qiell, mbi hanë,
unë ndryhem te pritja.

Ta ndjej liqenin e vetmisë apostolike,
mi lag kambët me furinë e pasosun,
t'shoh kur shpëton vedin prej vedit,
mbi supet e ledhatuem prej muzave t'drunjta
fsheh nën flakë çdo rracë t'përzime perëndish.

Aty pushon madhnia jeme.
Ngjyrat i pij me fund, për me t'vjedh pak dritë.
Aty muzika e fshatnave,
paqja e qyteteve pa t'gjallë,
mblon rromujën e ajrit që t'prek e s'i përket.

Ti u plake.
Unë me nji libër t'kalbnuem n'prehnin e fjetun,
e cigaren e pandezun n' nji faqe t'turpshme,
numroj pullat dikur t'egra,
sot t'urta prej zbutjes tande idilike.
Unë me rrënqethjet që s't'dhash,
mbeta thue i dhimbjes t'pengueme.

Rri larg,
e t'shpiku rrudha t'gjana,
e i lus me t'shpërvjel, me t'pushtu, me t'shëmtu.
Askush s'duhet me gjet vijë t'kalueshme
aty ku s'kalojm ma bashkë.
Aty ku s'krijohna bashkë,
ku imagjinova flokë, duer e gojë aty bashk,
kryeveprën sovrane t'rrasavisë dy-sojshe.

Ti u çmende.
E unë s'di prej cilit dimën me nxjerr nji shkrepse,
me t'përkund n'nji pllamb ferr,
n'trupin e pashëtitun me bart edhe ti nji faj.
N'Tetor,
nji grue me fyt t'thym lëpin muret.
Na flasim n'gjumë,
ndryshkum shkambin magjik.
Magjishëm.



***


Ky terr që kjan
asht syni jem.
Ky mish plot dimën,
asht trupi jem.
Kjo gru që shkruen,
s'asht gruja e tij.



***

Mbas hekurave banon nji gojë e përdalun.
N'gojë pertypet buka e pritjes.
N'pritje kapërdihen kpucët e lustrafinit
curak,
pa kambë,
pa erën e randë t'shtazës
që nata zien n'klavikul.

Jashtë hekurave
vdes tamthi i hanës t'lidhun për terr.
N'terr vrima e dritës asht pa trup.
Me mish shpërbam n'tempujt e ngimjes.

N'mu,
syni i gjakut sheh veç
çmendinë
joshëse
t'asgjasë



***

Sa herë marr frymë,
prej meje kputet nji kalë,
ngah vrap mbi trupin e premtuem t' Zotit,
i merr erë lumit që vërshon mbi ball,
e thellësinë ia prek me majën e çmendun t'gjinjve.


Sa herë marr frymë,
prej meje kputet nji gru me dy dihatje.
Unë e vras.
Ia kafshoj sytë me t' mitë.
Me gastaret e yjeve t'thym mbi çatitë e gëzueme
 ia ndriçoj shpellat ndër flokë.

E vras n'çdo jetë t' përtejme.
E vras mbi gjumin e uritun t'shtatave,
kur krymbat e përsosun pushtojnë mbretnitë.

Prej saj pshton nji gojë treçerek e mbytun,
nji gjuhë e argjentë që ngrin ëngjëjt,

Sa herë marr frymë,
kputem.





Suada (Ada) Halilaj asht lind në Shkodër me 21.02.1991
Pas përfundimit të gjimnazit, vazhdon studimet e larta jashtë Shqipnisë, në Firenze. Jeton mes poezisë, maçokut Yoko, venës së kuqe dhe dashnisë për lirinë. ‘Katër stinë, njëherazi, në nji trup të vetëm’-kjo asht historia e saj.


Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde