Shqiptar Oseku: Gjashtë fjalë për mall e dashni


***

6 fjalë:
Mendomë mua, 
                   e kujto si puthet



***
vera ec e qeshur 
duke vënë gjurmë nē rërë
dhe kripë në lëkurë
 i kujtohet
dikur ish fllad 
tash i ndizet trupi 
flakë
 i kujtohet 
dikur ish fëmijë 
ecte maje gishtërinjsh 
mbi dallgë
tash shkel me thembra 
lë gjurmë në rërë 
e kripë 
në lëkurë



al Bekareh 2 : 223 

Bëhu kopshtari im
Dashuria ime
Mē mbjell Më korr
Me djersën tënde më ujit
Trungun tim 
Degët e mia rënduar
rreth teje
Frutin tim haje
Të lēngshëm 
E fshi buzët
me llërë
Dashuria ime
rrënjën time ushqe
pandalshëm
me humus e errësirë
e jetë




Homo Migrantis 

Më ndalonin nē çdo kufi
Më kujtohet
Ma kërkonin një letërnjoftim të vjetër
Unë ua jipja e ndrydhja panikun
Aty më rrinte emri mbiemri 
Data e vendi i lindjes
Ishte mot i ligë
Mua më ndiqnin të shtëna
E ata lexonin me belbëzime
Qenien time
Ma skanonin dyshueshëm
Dikur më lejonin të dal 
(Por jo të hyj- 
kjo do të më mirrte akoma tjera vite)
Tashti në kufi ndalin kipcin tim
Të ndjekur me të shtëna
Ia skanojnë shkaqet e qenies 
Belbëzimthi
Emrin mbiemrin Datat e vendet
(Thuase dikush bëhet unë pa arsye)
E ai mban erë gjak-
Unë ndiej në eshtra tek vjen 
Një mot i ligë
E kërkoj me instinkt në xhepa 
Letërnjoftimin e vjetër



Ushqej një kujtim* 

Gatuaj vetminë time 
Në heshtje shurdhuese të shtëpisë
Çdo vit njësoj 
Kur vjen data e zhdukjes së tyre
E grij mishin e zij si u kish andja 
Mbi tryezë e vë
Bukën e kripën e ujin e ftohtë 
Gjashtë stola rreth tryezës
Vetë ulem në një syresh
E pres 
Çdo vit njësoj 
Durueshëm

*Mes datës 1 e 4 prill 1999 sigurimi serb zhduku 28 civilë, burra, gra e fëmijë, në qytetin e Gjakovës. Të mbijetuarit presin ende lajm për familjarët.


***

Dashuria ime ka në sy 
zjarre bubulake  
e gjuhën e ka kureshtare. 
Buzët e saj u shkojnë fiks
buzëve të mia. 
Dashuria ime ka 
duar të uritura, 
e këmbë që mbështillen 
rreth meje 
si gjarpër i shtëpisē.


Në autobusin e unazës, Tiranë

Nuk quhet ashtu
pse pasagjerët aty flakin 
unazat për dritare.
Po pse me të shkohet 
ne rreth: nuk arrin 
kurrë. Jo tamam.  
Unaza, ky simbol 
i rrethit. Figura gjeometrike, 
që në çdo pikë 
të mban njesoj larg 
nga zemra. 
Përbërësi thelbësor
në çdo perpetuum mobile. 
Veç pse është.
Rrethues. Dhe ti shkon 
me të.




***

dashuria s’

është 
     mëkat 

kur ajo mungon




***

6 fjalë:

Më merr malli për hijet tua.





Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde