Lindita Ottarsson: Të gjitha ngjyrat e lumit Drammenselva
![]() |
Mjegull |
Shqiptar Oseku
Ars poétique
Ti më bën
Syri yt më sajon përditë
më ndërton të adhuroj,
t'u lutem
metaforave miteve
metominive
atij ars poétique
që je ti.
Jam për ty.
Jemi kjo.
Një ditë
gjashtë rrathët do të mbarojnë
e unë do të them:
nga ti erdha
e te ti po kthehem
përsëri.
Entela Tabaku
ti nuk e din kurrë ku e gjen paqen
e ke një ide lëndinash me lule
një kishë e freskët në fund të rrugës së zhegitun
një ballkon me pamje nga qielli
një prehën i dashtun ku e mbështet kryet
a një krye i vogël mbështetë në prehnin tand
por të ndodh edhe me hy në një shtëpi
me aromë teshash të sapolame në ajër
e krejt papritë
tana idhnimet i lëshojnë armët
luftërat pushojnë
bora rrin pezull duke të pritë
orët zgjaten
e plotësohen
në paqë
ma në fund
në paqë
Lindita Ottarson
nuk vij
mos më prit
e kam një cep
mallet aty i shuaj
ndjenjat i ushqej
pak nga pak me kursim
mos më prit
s'i kam takuar askujt
e kam ditur
sot e dëgjova prapë
nga goja e një zane
në pyll
ka shumë dritë cepi im
kur të marri malli
më ço fjalë
copa pasqyre uji
të dërgoj në kahun tënd
nuk vij më
mos më prit
"e nesërmja është vazhdimi yt"
Klodian Kojashi
Lindita Óttarsson ka vite që jeton në veri të Europës. Në fillim në Islandë e më pas në Norvegji. Ajo është këngëtare e muzikës klasike, veçanërisht e asaj operistike. Pas shumë vitesh larg Shqipërisë i është kthyer poezisë dhe prozës në shqip. Fotografia është bërë pasioni saj i përditshëm. E bën të shoh të bukurën edhe aty ku nuk duket.
Comments
Post a Comment