Kangët e mia blu




***

Norë, pallton blu shtërngue për trup
flokë të zeza të shtrime bukur
ballin e bardhë, sytë tuej i fërkue për zjerm
gati me ndezë, qiell e det, malet aty përbri
me i shkri në nji, me i djegë pa shkue deri në dy
kishe garë me trenin, stacionet me i mbërritë
me shpejtësinë e marrëzisë së dritave të tij
që i lëshon në shpitë e fikuna
ndër shpirtrat e tretun, kështu si asgja të hedhun
të mbimë ndër gur, pa dashtë me iu afrue për nur
e kambët s'të prekin tokë, fluturojnë 
zemra do me dalë jashtë, ndër grushte, me gulçe dhe e shtyp fort, 
fryma po ta prét në dysh atë gjoks
edhe pak, edhe pak, s'ka shumë emna ky vend
për më takue njerz, për me përkdhelë flokë
nji dorë në faqe me e përshitë, 
me e thà nji lot, kalbë ndër lule, s'ka ma emna
s'ka ma lule, s'ka ma diell, veç vrapi jot i marrë
që i ushtoi si vaj natës, shiut, pemëve që të panë.
Norë, mos vrapoje, ta shtrije dorën, ta hapje derën e shpisë
me i dëgjue aromat e gjellnave, të fjalëve
ta ngrohnim dimnin e mbrapshtë, dimnin si fletë e shkyeme libri
të shifeshim në sy, ku zjermi i duerve të na farfuriste
të pjeknim bisedat, të ngroheshim ndër kujtime, si gacat e fundit.
Po ti sonte e gjete urën tande Norë
ti e dije që errësina s'asht asnjiherë rrugë, asht urë e thyeme
e kambët atje s'kanë krahë me fluturue, s'ka zog që i mban në qiell
janë ashkla që bien për me mbushë asgjanë, ti vetë je ashkël.
Treni kaloi zemër e ti jo, e ndjej se si qajnë për ty dërrasat e urës
unë s'di me qa, s'i kam gjetë hala lotët
më kujtohet se diku i kisha futë, ruejtë për nji ditë si kjo
kaloi mesnata e s'po i gjej
e tash po përpiqem me i këndue palltos tande blu
për me e pushue, për me e pushue
Norë, të paktën flokët t'ia kishe lanë përsipër
për me e mbajtë ngrohtë, se për àsht i asht ngjitë ky i ftohtë
Norë.



***

Me gishtat e kësaj hane
të trokita n'derën e madhe
po ti s'më dëgjove
të thirra me za 'hape, jam unë'
por fjalinë ma mori dufi i lumit
që si për dimën ta ushton kryetin.
Tash, po shëtis vetëm
veshë me jelek e barnavekë
me kepucë që më binë të mëdhaja
në rue de la Folie
në njenen dorë kam çelësin e shpisë, atje janë fmitë
në tjetrin metelikun
që ma fale atë natë
nën tingujt e fizarmonikës
që ia merr shpirtin ngadalë instrumentistit
ishte ajo natë që dola për terr
dola nuse e pa nusërueme në këto anë
I tërheq kambët, i vështirë me u terheqë ky bosh
s'di ku me e harxhue këtë copë ar
këndej s'e njofin kalemin as mereqebin
që me le porosi
për me i shkrue vetllat si gajtan
këndej s'i njofin jaret e varfnisë
e dashnisë, e varzave që dalin prej mejtebit
se nuk dinë se si na kanë ujitë stinët.
Era e ftohtë m'i tund lagjyherat
me jelek e barnavekë duhet me u kthye te fmitë
me u ngrohë me frymën e andrrave të tyne
e me i ba me isharet kësaj hane
që e din se ku shkojnë njerzit natën
e me iu lutë 'aman lene ta këndojë edhe njiherë nji kangë'.



***

Fshihe sonte hanën
nga andrrat e trishta
struke lehtë në gjoks
e mos i thuej kujt
as natës që si e marrë kërkon 
pak dritë
në orën e saj.
Fshehi sonte sytë
nga retë që vijnë tuba tuba
mbylli lehtë nën hanë
dhe knaqu me shkëlqimin 
e andrrave të bardha
e mos i thuej kujt
as dashnisë që si e marrë kërkon
pak dritë
në vështrimin e saj.
Fshehi sonte dëshirat
nga ngrica lojcake
foli ngadalë nën jastëk
dhe gëzoju të tynit zjerrm
njisoj si dielli që nesër ka me dalë
e mos i thuej kujt
as nadjes që si e marrë kërkon
pak dritë
për petalen e saj.


***

I ka mbi bari fjalëve mik
ajo vizitorja plakë i rrejti, 
zanin në gojë e thau
dhe heshtja si dreq heshti. 
Në shpi kangët kanë mbetë shkretë
tingulli iu ndryshk 
fizarmonikat e violina mbetë vetëm janë
presin frymë dikush me u dhanë. 
Kopshtarit i janë plakë duert
me ua heqë rrajçat
pluhnin me ua largue
të paktën me i lexue
në zemër dikush me i këndue. 
Me kosë ditën ua pastroj barin
natën me mijëra fije dalin
e përkulem, e thyhem, e gjunjtë në tokë më bien
po fmitë ninullat duen
të përkunden ndër përkëdhelina
po me tambël nane mik
me àsht grueje
me dashni vajze
prej gurit dikur u thurën andrrat
u ngritën lavdi e mbi lavditë u shkruen historitë
fjalët mbajnë mend ma shumë se njerzit
e mundin e korrjes ato e dinë
e mundim e gjoksit ato e dinë
e mundin e gjakut ndër vena ato e dinë
e mundin e dashnisë ato e dinë
prej kësaj lendine kam me i ngritë
e kanë me më folë nji ditë
e kanë me folë
e kam me iu këndue pa u lodhë.



***

Ditës së parë iu ndez prushi ndër kambë
e u skuqën hapat 
pa pyetë se çka ishin stinët
pse delte dielli e pse flente hana
e kërcenin ndër gacat 
që fluturonin n'ajër 
si flutura të gëzueme prej krahëve të dhuruem. 
Ditës së dytë i shkëlqenin lindjet e diellit në sy
e iu çelën si gonxhe
pa pyetë se çka ishte bryma
pse kërciste akulli ndër fletë
e frymonte vështrimi i tyne në gjokse plot
që mbushë me aroma të freskëta
merrnin n'përkëdheli çdo zog.
Ditës së tretë iu mbushën duert me andrra
që lulëzuen si lule
pa pyetë se çka ishte drapni
pse fushat grinden me hijen e tyne
e këndonin tana bashkë me tinguj
përkundës, të ambël, 
buzë të rozta zbukuronin fjalët nji e nga nji.
Ditës së katërt iu hoq fleta e kalendarit
s'ka ma asnji muej
s'di kush ia mati shtatë herë javës
s'di kush kishte kohë me numërue aq gjatë 
deri në treqindegjashtepesë
pak dashni
pak dashni në fllad
pa e ruejtë në asnji sirtar
pa pritë me e hedhë në varg
tanësia bahet nji zojë e bukur në tre ditë.



***

T'i kam pa sytë
qiell dimni randue
gati me ngri çdo fije borë
me i lanë n'ajri si fruta
që njerzit s'guxojnë me i këputë.
T'i kam dashtë sytë
dielli varë në 'to
gati me shkri çdo fije zemre
me e pjekë si mollë
që njerzit s'guxojnë me e prekë. 
Jam zhytë në tuejit sy
deti para tyne asht nji galje e vogël
e kam notue s'e di sa netë
për me gjetë ku e ke fshehë legjendën tande
e s'e gjeta kund frymë, vetëm dashni
që ma mori atë pak jetë marrë nën shall
e tash unë kam humbë udhë, nuk shoh asnji zall
me e ndjekë, me ikë prej kësaj legjende
trillue në netët kur u shifshim tanë mall.



***

Nata ma zuni natën jashtë
u lag ndër lugina atje larg e filloi me qa
yjet s'e lanë nji shenjë, kur mërzia u ra
zjermet u fikën, drujtë s'deshtën flakë me marrë
fmitë flenë e me duer ua heq borën prej teshave
andrrat po u kalojnë të ngrime nën qerpik
errsina nuk po më len me i thirrë n'emën
e unë s'e di se si më quejti nana kur më pà.
Nata ma zuni ditën në prag me zbardhë
e kam lanë vetëm në brigjet ku pres lindjen e diellit
e valët e trishtimit të detit plak
trazon pa prà rrugën për në shpi
fmitë pëshpërisin 'sa ftohtë u ba, sa ftohtë u ba'
i ngrohi me pak fjalë
ato që s'dijnë me më lanë
i ruej fort në gjinin e thatë
'do i mbledhim ashklat tana bashkë
do i bajmë nji vend sonte në kte terr
se drita s'ka kah me shkue pa na dashtë'



***

A ke me ma dhanë dorën 
edhe kur s'kam me pasë me çka me të shtërngue
qeshjen tande me za të naltë
që kur ta shoh, të më ndriçojnë yje ndër sy
përkëdheljen, petale përkulë
që ta ndjej aromën e gishtave
që afrohen me më dashtë
hukatjen, s'ka gja edhe nëse e len përgjysë
për t'i ngrohë fjalët që prej diku kanë me lindë
me i lanë me fluturue me krahë ngjyrë mbytë
e ta hedhin diku nji dritë
lamtumirën, fshehë në xhepin e xhaketës
që m'i përgjojnë hapat pas derës së kuzhinës
ndërsa ta baj nji kafe të fortë, krejt pa sheqer.
ambëlsinë e kujtimeve
që kam me ia shtrue ikjeve
ecjeve poshtë dritares, fësh-fësh, tuej marrë para
gjethe, puthje, stuhi e varje kryetit
se stinët prej dhimbjes ikin
e në dhimbje vijnë
për me i çelë me frutin e tyne dashnitë.



***

E di
mandarinat me bula gishtash i baj drandofil
e drandofilat i mbylli krejt
shegat m'a skuqin dëshirën me t'hangër edhe ty
partagal t'ambël t'ka ba nana
jo s'të ruej dot për Vit të Ri
kam me t'mbarue me diellin e parë që t'vijnë
më puth nën hijen e lutjeve tueja
edhe njiherë më duej
se nëse n'luftë kam me dekë
pa t'fundit ledhë
pa dashninë e sotme, minutit heqë
shpirtin s'kam me e pasë t'qetë
edhe nëse Drin e Bunë n'lot tuej kanë me rrjedhë.



***

Trishtil pse je harrue 
në çukitjen e nji pellgu uji
në të dielën që duket kaq e martë
në mbeturinat e vitit që s'ia hedh kush sytë
në ajrin e lanun vetëm me gjetht e rrugës
Shko, fluturo gushë jeshil
cicëro diku ngrohtë, gzoja zgjimin dikujt
dera asht mbyllë për ty
derën e kam mbyllë mirë
e kur errësohet ia mbylli derën fjalëve
e heshti që me lindjen 
e deri sa dielli fillon me pa andrrat e tij
Ik pra, gjeje tandin prendim
kërkoje aty ku ke ma besim
kur ta gjesh, shtroju, lutu, këndoju
nji varg dashnie nise me nadjen
ta marr si fluturim 
të nisem me 'te
e të harrohem në pellgje,
çatitë e ngrohta që i njef kaq mirë ti
e të kthehem në secilën stinë 
si ditë e mungueme
e fmive t'mi.



***

nëse flen
e n'andrra të del nji vajzë me sy blu
asht vala që mungon
e detin e ban në breg me heshtë
nisma
rrugën duket ka tretë.
nëse flen
e flokë t'verdha të shushurijnë si gjethe vjeshte
asht dielli i harlisun, 
qiell harruem, qiell shituem
nisma
ditë tetori ende s'ka prekë.
nëse flen
e qepallat t'lëvizin pa ia dà
asht ajo dhimë që shpi ka gjetë
e ma la ditën në nji qoshe krejt bosh
nisma
se ajo asht pragu i ditunisë teme.
nëse flen
e nji za mërmërim pa fillue andrra e parë
asht kanga që s'e di
nisma
jepi atij edhe dy fjalë
t'ua këndoj andrrave t'mia
që kanë kohë pa ardhë me u pà.



***

Nuse
dritë
ylli i bukurisë
ku shkon kështu
flokët s'i ke me këna
duhet t'i lidhësh përmbas
me kapsa, lule plastike përsipër
sytë e tu s'i mbulon asnji vello
të duhet nji, për me të ra nën të ai loti i gatitun 
ndër biseda grash
edhe fustani, ai i bardhi
andrra e varzave 
me kenë princesha përralle për nji natë
a qoftë nji orë
po sandalet me taka
po buzëkuqin
po pudrën nën qerpik
po shtati jot sa nji përçik
duhet me e tundë lehtë, pa gabue asnji këshillë
po beqarin që ke me ia djegë shaminë?
Grue
të mungon pasqyra e shpisë
dritat, gëzimi i të tjerëve për ty
zbukurimi i ditës së nusërisë
po qenke nuri i bukurisë
te ti s'dinë me dekë dashnitë.



***

Nji andërr
zdathtë po ia shkel stinës gjethet
tek kapërcen trotuare lexon emra drejtimesh
në gjuhë vendesh kur njerzit flejnë
rrugëve fishkëllen kangë që askush s'i di
dhe i gëzohet të ftohtit
kërcen mbi ngricën e nadjeve
e s'ndalet, duket se ballkonet e dritaret 
për me pushue, me u ndalë e me u gjetë i kanë tretë
era e marrë sjell përgjumshëm tinguj
'po ti çka i ke thanë dikujt'
e m'i zgjon makthet pa zbardhë
prapë zdathtë
më vjen rrotull, si flutur që s'duhet të ishte këtu
po në shpinë e verës së tjetërkujt
Eja si në andërr
andërr shpi humbun
e kam nji strehë për ty
'pasha sytë e ballit' s'kam me i thanë kërkujt
që flen në hukatjen e temes pllambë
po gjethet e vjeshtës sime 
e duen nji kambë të ngrohtë
me dekë, e me çelë si të duen vetë në pranverë.



***

ajo ra
ngadalë, syni nuk e pa
zemrat po ngazëlleheshin diku matanë
vjeshti i erdhi si shkelje e pakujdesshme
ngjyrë e mbylltë mbi shpindë
ndër parqet me natyrë që nuk lëviz
në rrugët që ndriçohen me melodi të njohun dritash
ishte petale
petale e kuqe
me flokët e hanës nuse
që pis të zeza në natë janë
e në kand të diellit, pa u ba ajo nanë, i bahen prapë të kuqe
po s'kishte kohë ma
ora ra diku pesë herë
u ngrit nga stoli i fundit
fluturoi në zbehtësinë e stinës
piu vesën e fundit dhe u kalb.



***

A dinë me shkrue zogjtë?
zemrën e kisha dhanë 
me ma shkrue nji kangë
e unë me ua cicërue
në cep të gjetheve
në petale drandofilesh
ku thyhet çdo pikë shiu
e qeshjet mbeten varza
ku dita lexon sytë e grave
e bahet jetë në zhurma fmish. 
Po ata, ah, më njofin
s'falin, cicërimë a tingull
për gjoks ku zemra s'rreh ma
e falun ajo, qoftë edhe për të tynen kangë.



***

Ai s'fle
s'e njeh mbylljen e syve
me iu lëshue andrrave si në djep
me u përkundë ndër dashni të lumnueme
a në makthe që zgjasin aq, sa nji e rrahun qepalle
Ai ban zgjime
si brumë buke në duert e grave
si lëvizja e afshtë e mëndafshit, ku thuren ngjyra
e ngarkohet, kja qenë gjithmonë ashtu
hamall i ditës së të tjerëve
e sjell atë ditë ku na s'ishim
jehona me zana të përzieshëm
trishtimin e hapin të kuajve ndër fusha
ku rri kori i grave, i përkulun, në mbjellje
e në darkë me të njëjtën përkulje, përkëdhelin
e rrisin brezin tjetër, e tjetër
që s'kam për ta njoftë, edhe pse ai asht aty
Rruga e tij asht histori pa fillime, fundi duhet të jetë nji thërrime
ndër pluhna mat hapin
i duhet me pastrue horizontin, me e shpue tej përtej
për hapin e dytë, për të cilin nuk pret
e kamba shumë herë i ka hasë në trupa bosh
me frymë të kullueme, që gjetën dalje
nga mungesa e dashnisë
nga fillesa e nji lufte, që tash asht shpërnda ndër beteja
në fronte pa adresa të përjetshme.
Ai asht lodhë, 
por asgja e tij s'matet me kutin e njeriut
gëzimin po, prej atje buron ngrohja nën dritë
edhe puthjet e cepave të buzëve të varzave 
bahen rapsodi
edhe qeshjet e fmive rreth kapistrës së kuajve
bahen dëshirë
e tana rrojnë, po aq sa ti.
Hajde edhe nesër, 
ngarkuem aq sa di, 
aq sa ke
e ma ngre tanë andje këtë qerpik.



***

Kam nji dëshirë me e hapë dritaren
po ti nuk je
kam nji dëshirë me ecë në natyrë
po ti s'e di sa e due atë
kam nji dëshirë me fluturue
po ti s'e di se çka don me thanë me kenë me krahë
kam nji dëshirë me e këndue nji kangë
por ti s'më dëgjon
kam nji dëshirë me kërcye
po kambët e tueja s'e dinë tangon teme
kam nji dëshirë me u dehë me venën e bamun në shpi
po ti s'ia di shijen e mundit të duerve
kam nji dëshirë me të përshëndetë
po ti s'e ke kthye kryetin asnjiherë kur kam ikë.
Nadja jeme ka kohë që zgjohet kështu
me tana dëshirat e kësaj bote
po ti s'je këtu me i ditë
se s'ke dashtë asnjiherë me i ditë
e i mbledh ditët e netët në fluturim
tuej dishrue, jo s'kam me kenë asnjiherë ti.



***

Ranë buzëqeshjet
më furi, si në stinët e kalueme në moshë
që vrapojnë me dekë në gjoksin e dimnit
atje përkulë jam, ia dëgjova kërcitjen e thyemjes së tyne
në tokë të butë
në gjethe me deje pa ngjyrë, gati me u kalbë
asnji aromë s'më lanë, asnji aromë nuk nxorën
kur përplasë, mijëra copat m'u morën.
Sot, nën diellin sikur ta kish harrue pranvera
dola me i mbledhë, nji krah buzëqeshjes me bà
qoftë edhe në dy duer me i mbajtë
qoftë edhe nji, sa për ndezë nji zjarr me u ngrohë
a me e ndezë nji cigare në t'vonë
Po nata, shkri me lagshtinën plakë
ma kishte shtypë me gjethe ushtimin e zanit
në dhomat e ngrohta të shpisë
ndër lumturimet me vajzat
në netët me hana të gazmendta
në dashni të njimendta.
E s'dita me qa
e s'e pagueva dot asnji vajë
kam me pritë deri në stinën e fillesës
me mbledhë frytet e buzëeqshjeve
që ranë me e ba ma të bukur vjeshtën.



***

Ja, edhe pasqyra ra me fjetë
fiku dritën e u end,
n'errsinë asht 
dhe qahet se pse asht
njeriu që iu shpërfaq ditën
natën i vjen si dhimbje
të kthyeme në gur, dojnë me e thye
cepash asht e vrame
trupi, dikur i bukur, i rrafshtë
ndriçim i tre a katër dhomave
i gjithë shpisë, i shpirtit t'atij që ka ma afër
por tash, në pamundësi n'yje me u knaqë
kishte dashtë me e pa nji andërr 
nga ato që i bajnë të lumtun njerzit në gjumë
me u gëzue, harenë më e shtri
në gjymtyrë, vetlla, pse jo me e lëshue për kornizë
që nadje, pasi nji diell përtueshëm lind
njeriun me e ba të bukur
ai me u kujtue se e kërkoj me ngulm imazhin e vet
e me i falë nji buzëqeshje, këtij xhami, që jo gjithmonë e vret.



Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde