Kur t'iku, me këmishë do jem veshë



***
Po numëroj yjet
si dikur në vogëli, me shpresa rritë
e filloj
nji, ti, tre, ti, pesë ti, shtatë ti,
nandëmijë, ti, nandëdhjetëmijë, ti
kush e ka ba kështu qiellin s'e di.
Ma ke ngatërue aritmetikën
dikur dija me numërue mirë
me radhë, nga njishi deri te dhjeta e andrrave
që me erën ma të vogël ranë në baltë
e tash Atlantikun duhet me e ba mik
që me t'parën mërzi
ta marrin, ta çojnë ku të dojnë, përemnin 'ti'
ta shprishin valë, për valë, emnin dashni.


***
Këmisha qepë për natë
me masën e dëshirën e hanës
sonte nuk po më rri për shtat
e hollë, pupël e tejdukshme
i janë varë hije
që vijnë prej botës së ngratë, jashtë
gjethet dembele të kumbullës
dritat e flashkëta të rrugës
përpjekjet e përkëdheljeve me e heqë
frymëmarrjet me zemrën e tjetrit ngjit
puhizat me e lëvizë si kufi
zbulimet, gjetjet për ma tej
andrrat, si gërsheta shumëngjyrësh
ylbere të malltë rrinë në cepa, pa rradhë
historitë e dritares memece.
Jo, ajo këmishë e madhe më rri
due me fjetë pa peshën e randesës së hijeve
gjumin me e ba në vedi, për vedi
kam me ditë me u strukë
ambël, me u rehatue nën lëkurë
përlhurë, vitesh pëlhurë.


***
Kur t'iki
kurdo
kudo
mendimet kam me i mbështjellë
në kuti
vetëm nji kam me lanë të lirë
atje n'ajri
me i ardhë rreth horizontit
mos me ia përkulë kryet asnji shi.

***
Shiu që zbukuron këto dritare
më kujton bulëza uji
në lug qafe, lug shpine, strehë shpatullash
ndër flokë të lëshueme rrjedhash
djemsh e vajzash, ndër gazmende të pandërpremë
çdo pikë e tij skulpturon mërdhinë
e atij lumi që rrjedh randshëm
shpejt, ndër vena, ndër krena
atje ku krahët luftojnë që ferishte
e mbytesh në nji sekondë po nuk gjete n'vedi frymë
po nuk gjete fille me i hypë urës e me shkue në shpi
me autobus a në kambë, asnjiherë s'ka pasë randësi.
A më pranon sonte, të mbytem në grushtet tueja Dri
ta prek zallin tand të fundit, me gur ari shndrit
t'i gjej gropat tueja e t'i baj shesh
me dëshirën që m'i lëviz gishtat
e me dashninë që më treti shpirtnash
Jam nisë për te bregu jot
thuej nanës të më mbështjelli bukën
thuej babës të më rregullojnë biçikletën
marrinë tande due me e ba zemër
e kthjelltsinë, të vetmin emën.

***
Franca fillon në nji park
terr, frikë e shi
lagshtinë në mbulesa fmish
drekat e darkat pezull në kuti
asgja nuk prekej, loti thahej ndër pemë
tesha në valixhe nderë
gjuni në gjumë ngushtë,
qënie mbledhë në nji grusht.
Tash ajo vizaton flokë që thinjen
andrra që nji nga nji bien
t'ardhme të ngadaltë
këpucë me ecje të vrazhdë
e pak e nga pak edhe mall
hapsinë fotografike
që më merr frymë, a ta thashë Rozafë.

***
Harresa e kujtesa
herë të kundërta e herë të njëjta
mbështjellë në trup
si degëza
s'i dihet fillimi
as kur i japin fund vetes
hahen me njena-tjetrën
paqtohen pak kur
përditë gjuhen
me imazhe, fmini
ngjarje, pasione, emocione
dashni, emigrime, fluturime.
Shahen, vriten e priten
e përplasen me fjalë, përballë:
'harroje që di me kujtue'
'kujtoju që di me harrue'.


***
Nji vetimë ishte, nji
po e gjeti dhe ia plasi petalet lules
në mijëra copa ngjyrash të pikëllueme
ranë nëpër natën e veriut
atje edhe terri asht mërgimtar
edhe yjet këndojnë trisht, lehtë e si për mall
gishtat prekin vetëm gjurmë kambësh
lodhje, mbetjet e vrapit së nji jave, së nji jete të tanë
e ngecin në therrat e kangës së dashnisë
e gjaku vijë e gjatë, vizaton rrugë
atje, diku, kush e gjen atë fund, strukun rrinë petale,
aroma, flokë të prarueme, fjalë të harrueme
trupa të pushuem në kapërthim
sa shumë paska thye ajo vetimë
që mbi saksi flakëroi nji, veç nji stuhi
duert tashma kthye në njolla, hije mbetë në mur
s'punojnë, s'dinë kthim
por mendimi, ai, gjithçka prej fillimit ka me qendisë
e nji puhizë nadjeje qendismën ka me e lëvizë.

***
I kam hypë biçikletës
për nji 'nadja e mirë' te ti
me ta hapë derën e shpisë
perden e randë të pagjumsisë
e me shtrue tavolinën
pshesha n'tambël, djathë
bukë të rreshkun
bukë diabetike
dy mollatarta
biseda, kujtesa,
kujdesje për vajzat, për vedin
na trazohen fjalë për vuejtjen
për pafundësinë e saj
ngjyra e syve, pamundësia e kambës
ti i mat metrat që ec
përditë, i shënon në kujtesë
papritë tambli derdhet
bardhësia përhapet në këtë tanësi
e qeshja jeme mezi të tretet në ajër
nuk asht si ilaçet
që bajnë zhurmën e shkrimjes
në gotën tjetër
që e prek me dorë për me e gjetë
e qeshja jote atje në qosh të rrudhave
ma shkrin lodhjen
pluhnin e mohimin që mora rrugës
I kam hypë biçikletës
me të thanë 'nadja e mirë'
por më duhet prapë me ikë
në strehën teme ende po më flenë fmitë.

***
Mos e kërkoni erën
e kam veshë, fort ngjeshë
mbërthye për zemër
i kam shkrue nji emën
askund s'ka me frye
pyjet me hijet e tyne kanë me qetue
liqenin s'ka për ta trazue
as dallgët në det s'ka për t'i vallëzue
nji natë të jetë me mue
si kmishë nate e frymë andrre
e di, ka premje të madhe
po e due humbjen në trillet e saj
lëvizjen e turrshme në forma trupi
tingullin e furishëm, shpirtdalë
por këtë natë botën e kam në krah
qiellin kam për ta puthë n'buzë e n'sy
ah, sa nuse e bukur kam dalë
e kjo erë, s'ka me lanë djalë sonte me marrë
je e vedit, je e vedit, filloj nji jare nën za.


***
Hollohen gishtat tuej brumosë
bukë, andrra, fmi e ditë
vizatime, dëshira, kryekrisje
bahen kolonë
në kohët që nuk ndryshojnë orë
në shpejtësinë që nuk mat kohë
bahen të butë
për gjumin tand shtri në gjoksin tem
për jastëkun që ende ruejnë gjurmë
luejnë ambël muzikën
e natës që kalon prag më prag
që s'di me u ndalë në asnji refren
ia lëvizin mbulesën nadjes
në zgjimin e saj tanë përtesë
dhe çmenden mbi violinën, mbetë në imagjinatë
pas diellit që ma tregon me synin e vet rrugën matanë.

***
atje n'kufi
ku dhimbja nuk të harron
e vetmia të duket si njollë e pashlyeme në shtat
u luta me ma falë nji kohë
sado e shkurtë
sado e zymtë
s'ka gja, nëse do ishte e hanë a e shtunë
pak, sa me folë
me i besue frymës
lëkurës me i shëtitë me dorë t'ambël
flokët me i lidhë ma ndryshe
me e ndjekë vrapin e syve në fusha të gjana
ku buka rritet e pritet me rriska të mdhaja
e dashnia ka ku me u shtri
por zani m'ka harrue
ai s'din me u lutë e me u falë
ai di me dashtë, me fitue e me humbë
zani jem jam unë
që i kapërcej tana jehonat e nanës
i çliruem prej tana kujtimeve
e flet edhe me gjuhën e dhimbjes në mue.

***
'a dalim ta hamë hanen
ulena në ballkon
ti andej e unë këndej
nga pak e për natë
deri sa n'qiell të mos mbesi asgja'
po ti e di që unë hanën e kam kangë
vegël muzikore
gjithkush mund të më rrejnë me te si me nji serenatë
ma len edhe këtë stinë
kangën të ma këndojë prej pikës ma të naltë
nëse kë untë
veni dhambtë në shpatullën teme të djathtë
ose si të duesh me ha të tanë
jam plot pasione
edhe pse të dukem nji kashatë.

***
..dhe fleshe vonë
e zgjoheshe herët
s'e kuptoi njeri
se kur t'erdhi e t'iku dita ty
natën s'e matje ma me kutin e yjeve
katërdhjetë vite që ulë sytë m'i ke
në temin fustan
dhe e qendisë, herë me pé të zi
herë pé marrë nga deje
gjithmonë i kuq me më ndejtë
sa pak ka frymën tande të ndeztë
e sa shumë fikjen tande prej mungesës
të derës që s'kërcet as drekave, darkave
zhegnave, shinave, përmbyetjeve
stinëve të frutave e të vyshkejeve
rrugicave i kam hedhë pak gur fminie
po ma jep nji natë atë fustan
se kthimet asnjiherë s'i kam prekë
nji natë do martohem edhe vetë
'na jena popull i bukur, bijë
ende s'e kam mbarue
kur ta mbaroj shtati ka për t'u dukë mirë
me e pa edhe unë, me sytë e andrrave, se çka kam rritë'.

***
'j'aimerais que je te tiens dans mes bras'
unë zemër s'di frëngjisht
di vetëm shpirtnisht
m'i ka rreshkë ndjenjat vetëm nji diell
m'i di andrrat vetëm nji hanë
për tokë flej gjumin ma t'ambël
ujin e kam mbulesë që me vedi ka me më marrë
lëkurën e kam të tërhequn në malle
edhe për bukën e lyeme me sheqer
e sytë kanë kërkue edhe në bebze nji dritë
për shkëlqimin e saj kam ditë me pritë e do t'pres.


***
Sot u lodha
tuej t'i postue tantellat
tana ngjyrat që m'i doje veshë
për me më zverdhë tuej m'i zhveshë
në çarçafë që ndërrohen për orë
merri rueji për lulet që ngrihen e bien
në oborrin e shpisë tande
unë jam e vocërr
por s'më zë asnji gardh
dashninë s'le la dot të vetme në nji qendismë
sado dreqin e hangërt të jetë në modë
jam egjër
që e ndjen gjakun tuej e ça rrugën ndër dej
që i ndrin syni mes gurëve të nxehtë
i falet pa asgja veshë
dhe i thotë të due me nji shikim vetëm asaj natyrë.

***
Zojë po të qajnë fmitë, pushoji
nata po vjen e bota do qetësi
-s'di, fjalët m'u shterruen
po këndoji
-s'mundem, ninullat m'i vodhën
po puthi
-s'kam buzë, m'u thanen rrugës
po përkëdheli
-s'kam duer, m'u kalbën në vjeshtë
po jepi gji
-s'kam tambël, m'u prish në gjoks
po pushoji me nji shikim
-nuk shoh, sytë i lashë peng
por, po qajnë shumë moj zojë
s'po u ndalet njiherë ai vaj
-jepuni nji laps, ta vizatojnë si ta duen ato nji nanë

***
Mesnata u ngroh
orët kalojnë ambël
në flokët tuej gri
në ballin e lodhun prej rrugëve të ditës
dora përshkon lehtë
muejt e tuej në vetlla
era i thau tana gërvishtjet mbi xham
shiu i lau tana kujtimet shkri ndër qirinj
perëndimet vijnë e shkojnë pa ty
iku tashma e shtuna
iku prej gishtërinjsh
dhe papritë asht e dielë
e unë të tham natën e mirë.

***
M'ec ditë, vrapo
për teh të dritës
për anash diellit
mos u ndal
as për me marrë frymë
as me thanë 'jam lodhë'
vetëm ec
edhe nëse nji pikë shiu
për gushë të ngec
e n'anë të qiellit sheh furtunë
me vetima pa emna
ti ngà
që kur thinjat t'rrijnë me fjetë në mue
t'ulem n'anë të atij oxhak
perëndimin me e kapë në flakë
që kur të vijnë andrrat
të dinë çka me tregue për darkë.

***
Mbramë s'isha k'tu
s'isha as në andrra
as qëndisë n'at' hanë
as në folenë e zogut përballë
isha shtri në sy tuej
as në gjumë e as në jerm
edhe fijen e fundit të flokut ma prek
ma dridh gjoksin në zjerm
ma shqipto si të duesh emnin tem
por as sonte mos më len
m'eja, të mos jem si mbramë
të due për fjalët që sytë nuk i thanë
të due, kështu si je, të tanë.

***
Edhe të due
edhe të drue
edhe s'kam za me të këndue
se malli për ty ka me më mblue
si shi i rrëmbyshëm, pa ndalë krejt
luleborë
flej e qetë në ballkonin tem
ti je bimë, s'je qyteti jem
jam unë Shkodër
zjerm, marri e dashni
që të përkëdheli
në netët që nuk bijnë shpejt
në ditët që vetmitë me buzëqeshje i tres.

***
Ku ma le grunin që mbolle mbramë
a mos ia thyeve vaktin me pak bukë atij bylbyl?
Ku ma le qeshjen që ta lashë për kmishë
a mos e mbështolle e ma mbylle në valixhe?
Ku ma le nadjen që në tana dritaret më shndrin
a mos e ngarkove për shpindë si veç tandin kujtim?
Ku ma le puthjen skulpturue në supin e djathtë
a mos e shite për me ble biletën e ikjes mos me ardhë ma?
Ku me le udhëtimet si njolla mbetë në kambë
a mos i harrove në fletët e varuna të kalendarit?
Sonte, edhe pse natë, edhe pse jo e martë
ma kanë çelë tana lulet ndër saksia
merri edhe pyetjet, s'i due përgjigjet as këtë të enjte
njiqind herë me u vra, në kalldrëmet që vetë i shkel
njimijë gur ndër duer kam me i ngritë, me ndërtue çdo herë nji shpi e dashni të re.

Kangë lutjeje për xixëllojat
Ky vend s'ka xixëlloja
kaloi java, kaloi maji
njenes për bé s'ia pashë dritën
netëve me ngrohje dielli të huej.
M'kanë lanë vetëm në shtigje për me i kapë
me i marrë ambël në grusht
e me ma ndezë jetën
në pak çaste
s'ka gja edhe tre sekonda
e pastaj me e lanë me ikë n'errsinë.
Xixëllojat pushojnë në terrin e oborrit tem
ku kam lanë flokë e mall
vaje pa fund, mure të gërvishtun n'andrralla
m''i nisni n'fluturim
t'i shoh drejt e në sy
e t'i lutem me fjalë veshi
thyeni tuejen dritë
e më ktheni në fmi
më ktheni në shpi.

***
Zog,
dashni përcjellë
a ta ka lanë nana vetëm folenë
e s'asht kthye as kur andrrat të dojnë fjetë?
Zog,
dritë në gushë ti
t'amblat fjalë në ninulla të kanë ikë
e s'ka asnji za me t'i këndue që mos me ndje frikë?
Zog,
trembun puplash
po t'i fali t'mijat buzë, gushë e zemër
andrro diell, fusha e gjethe të forta për strehë
se nanat, më rrezen e parë shkojnë,
por e gjejnë nji derë e me të dytën vijnë.

***
Sipër meje banonte vetmia
jetonte ditën e saja
me nji qen për dorë
me gjysylykë deri poshtë hundës
me xhinse ma të mëdhaja se beli
të shtërngueme fort me rryp
dhe me duhmë cigareje të vjetër.
Sipër meje banonte
e nji buzëqeshje nuk ia kurseva
i dhashë edhe nji çokollatë
e kujtoja se e gëzoja me muzikë
me tinguj që më nxirrnin duert rrahë për lëkurë
ia dëgjoja hapat e lehtë për dysheme
kur bante dushin e rrallë
kur krehej e bahej edhe e bukur
por nji ditë s'ia dëgjova shfryrjen
as në shkalla
as te dera e pallatit
askund
e filloi me ardhë era e randë
në pallat, në lagje
në kopshtet e mbjelluna me lule e perime.
Dikush kishte telefonue mbramë
dhe makina të kuqe me drita qielli ndezë
erdhën, pa asnji zhurmë hapash
e futen në qese të zezë
e mbështollën mirë, e disifektuen
dhe e nxorrën jashtë, të vetme, pa qenin e saj të bardhë
ajo çka kishte mbetë nga kurmi i bukur dikur
kutërbonte, e ka me kutërbue
në netët me zhurma fmish e dehje të rinjsh.
Dikur sipër meje jetonte vetmia
trashëgiminë ia mori të gjithën e bija
por aroma e randë, ende ka mbetë varë ndër shkallat e mija
dhe kujis
te secila derë, te secila shpi.

***
A të ka ndodhë
që me e pasë zemrën në dorë
me e pa tek asht gati tuej shpërthye
me e ndje që don me të ra prej doret
me e kuptue që po të shpërthen prej gjoksit
me iu frikësue dëshirës së saj për me t'ikë
për me pushue ndër hijet që vetëm ajo din me i gjetë?
A të ka ndodhë
me hangër shpirtin me dhambë
për mos me e lanë me kapë trenin e fundit
për mos me kapë fillin e avullit të anijes
për mos me u tërheqë pas ernave që hapin rrugë
se i frikësohesh dëshirës së tij me i shpëtue kafshimit tand
për me gjetë strehë ndër qetsina ngjyrash?
Mue ngjarjet më kanë mbytë
e s'kam zemër me t'dhanë pak frymë
e s'kam shpirt me të puthë pa i mbyllë sytë
dashni ti
fshehun në anën e hanës, që pas teje ka humbë krejt.

***
A ke emën ti
cili dhé po t'rritë?
A ke çadër ti
me t'pritë gacat e etjen
që ta hedh qielli pa pushim?
Mos më rri mënjanë
me qeshjen tande çiklamin
po më jep lulëzim
pak cep buze tanë n'gaz
se po shpërthej, se po plas
vjollcë, me pikla shiu po të thërras
natën bane ditë
më mbyt, e mos me len ma të flas.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde