N'kërkim t'emnit tem

1.
Noto, noto i dashtun
jepi, nxirre fuqinë nga fundi i shpirtit
shtyje trupin drejt lirisë
e sheh at'yllin atje
asht vetëm për ty
e ti ma premtove ke për ma sjellë nji ditë.
Mos m'u anko që t'u lodhen krahët
mos m'u anko se s'ke frymë ma
që mishi po t'bjen copash prej trupit
edhe pak, ja shife, finishi yt asht liria
ndriçon atje
deti, uji i njelmtë a i ambël asht rruga
rruga që s'e bane n'kambë , tash po e merr me krahë.
Noto, merr frymë thellë
trupin e di që e lyeve me vajin e makinave që vodhme mbramë
nuk t'ka hy ende lagshtina deri n'eshtna
deti asht i bukur siç je ti
siç ke kenë që kur ke kenë fmi
siç t'ka ba e t'ka la nana, t'bukur, aromë dashnie
jepi, erdh liria, shpëtimi asht edhe dy minuta not
dy frymë tuaja, katër t'miat...
Baaaaaammmmm
Edhe t'thashë zemër noto
gjelbërimi ta nisi vdekjen
me nji shkrepje
si shkrepja e aparatit fotografik që na i qeshim.
E sheh, s'ishte si zjerrmet që ndeznim për me na ngrohë
asht flakë që t'ftofë, t'kalb, të çon n'at'botë
plumbi t'hyni thellë n'krye
e ti e harrove notin
t'i fshiu kujtimet
nanë, babë, vlla, motër, mue.
Si t'u thanën ato duar aq shpejt
noti dihet deri n'pikën e fundit
shpirti e nis trupin drejt varrit me nji gur përsipër
por ti s'u përpoqe
mbete viktimë e vetes tande
e dëshirës tande t'madhe për me kenë njeri
Kam sa vjet me gur n'dorë
me t'gjetë se ku t'i hedhën duart që të tepruan
pjesa e kryetit që me lopata nuk ta copëtuan
trupin që nuk t'i ranë me kazma
duhet ta ngulë diku këtë gur
s'ka randësi se ku
por diku ku t'jesh ti
e s'të gjej, e s'flej, e t'rrej.
Kam kujtue se kam fitue prej vdekjes së nisun nga pylli plot jetë
asht e vërtetë që s'i afrohem ma atij det
por t'kam mbytë për herë t'dytë vetë
s'fitova, shpirt, nga njerëzit që dinë me shkrepë
me mbijetue, me mbetë
që tuj ecë mbi kufoma kanë dalë në breg.
Sonte asht e premte, darkë, natë e thellë,
dritat e rrugës sa janë ndezë
e mue më mungon vetlla jote, shteg e mprehtë.





2.
Sot ora po m'numëron
sa iu desh rrugës me mbarue
10 orë terr
e prapë terr
e pastaj
prej tij fill e n'shi
nji javë lagshtinë
qiell i hapun, me re karabojë
N'kambë ecë 30 orë
shtyj karrocë
bashkë me të vedin e fminë tjetër që di me i hedh hapat vetë
5 orë humbë nëpër rrugë
8 orë kërkim stacionesh
tre muaj autobus
13 muaj pa identitet
letra mal përmbi mal
halli zinte tjetrin hall
125 orë pasqyrës përballë
rrudhat s'lëviznin, ftyra m'shkrihet n'to pa fjalë
300 orë duhan
Luksemburgu t'mirë e t'lirë
me tasa, 200 gramëshe, 20 euro
thithë, fort e ma fort për 600 orë
3 javë sport, pishinë, park, piknik
Kam harrue sa orë vakte
pazare, zheg mes asfalti
vaje vajzash, t'miat s'due me i kujtue
30 orë me boshnjakë
kafe turke me sahana
tuj këndue 'moja majka draga'
20 orë çaj Kosove, njeni pas tjetrit
asnjiherë s'dit me u shpue ai ibrik
Pafund orë muhabet
për kurbet e vetëm kurbet
1000 orë n'telefon
me Zhulin çdo sekondë
'hajt se vetmia jetime asht, kalon'.
Katër muaj frëngjisht diku
gjashtë andej n'fund
'Oui, madame je comprend tout'
Nji javë me tesha n'krah
valixhe, çanta, kutia kartuçi
laj e shpërlaj dhoma
për t'huaj si unë, me emën 'Askushi'
Gjysëm dite Paris
pak andërr kapë me dorë
por kujdes orën, 'mos u kthe vonë'
kulla Eiffel, Louver, pak Senë romantike
shishe uji, lang frutash edhe pite me perime
mbështjellë e ardhë e ngrohtë prej Boveje
Nisu prapë
mos u kthe mbrapsht
Borë e madhe dimnin e parë
Vera e parë, me kostum banjoje shtri n'bar...
Kërkoj e gërmoj n'shpinë e parë
nëse kam 'sache', s'ka gja edhe strajcë
me i futë këto dy vjet Francë.


3.
Sa shpija?
Njena e bukur
bionde
andrrat i realizoi sonte
Tjetra brune
me kaçurrela deri n'thembër
n'botë si e vetmja femën
Ajo zeshkanja e ithtë
kryeneçe
me çati teneqe mbas teneqeje
E kuqja
dashni pa fund
vra si askund.
Sa shpija?
Shumë
pa fillim e pa fund
bartë
n'shpinën si qerre
përthy e këputë
nga fjalë e premtueme
që m'la andrra e shpi t'rrënueme.


4.
Përditë e përditë
nga pak e nga pak krejt si dritë
që hyn n'dhomë e s'ka për t'm'ikë
Ti
T'hanën i kishe krejt t'vogla kambët
duart vetë e kapën gjinin tem t'martën
t'mërkurën n'buzë afrove shishen me ujë
n'klasë t'parë hyne këtë t'enjte
t'premten n'shpatulla m'erdhe
po due ta shtyj me ardhë kjo e shtunë
t'dielën ti kolonë greke e unë gurë
shtrue për me shkue te nji rrugë
Shpatulla jote, e imja strehë
edhe për pak kohë aty asht ngrohtë
nesër ka me u nisë me u ftohë.
Do mbledhna bashkë për foto
ndonjë darkë, drekë e përvjetore
Unë mbledhë n'vedi
si kërmill t'pres n'dritare
pres nxehtsinë tande
n'sa muaj e n'sa vjet
telefonin n'zilen e parë e pres
flet, e flet, tanë kohën flet
je n'nji vend ku s'jam unë
due me kapë lapsin me shkrue
por komodina e sirtarë s'di ku m'kanë shkue
e bie randshëm te cepi i shpisë
s'due me u çue deri sa t'm'vijë eme bijë.


5.
Sonte asht natë magjike
vajzat rehatohen me i pa numrat
nji e nga nji deri n'fund
pa u ikë asnji lëvizje, truk a hile
'C'est pas vrais ça', 'elle est cache dedans'
's'e presin at' me sharrë', 'letrën e ka nën mangë'
fmi që s'besojnë në numra shpejtësie
Me mendje e hapi perden
fluturoj, s'kam nevojë për krahë
shkoj te ajo magjia
kur mjeshtri zhduk njerinë
Po due me qenë te ajo kuti
me u futë brenda pa u ndje
me dalë e me u duartrokitë
si shkëlqim maji që synin e kthen n'vaj
vajin n'vesë
e vesën n'shpresë
shpresën n'frymë
frymë që kthehet prapë n'brymë
brymë që vizaton n'ajër të dashtunën ftyrë
ftyrë që due veç me e pa
që n'paqe me ra
dhe...
Vajzat dojnë me fjetë
m'kthejnë prej asaj magjie
që po e andërroj nji jetë


6.
Më mungon fjala që ma the
natën e parë dhe t'fundit që m'deshte
apo ajo s'ishte fjalë?
S'e mbaj mend a ishte pranverë a vjeshtë
di që fluturova n'mes t'errsinës
me këmishën e zbërthyeme
në rrugët e kryeqytetit që flinte
për me kapë orët që m'kishin ikë.
Nadje herët treni s'dinte me ecë
unë e kisha marrë për dore
e shtyja deri n'qytetin tem
doja atje më i tregue se pse ekzistoj.
Atje, te shpija ku kisha lindë
nana ende pa folë e pa m'përqafë
t'përmendi ty që ishe n'mue
gurët mërmëritën n'murin e dhomës s'gjumit
mbulesat s'më ndejtën njiherë përsipër.
Tanë nji fjalë ma thanen
'ishte nata e fundit e dashnisë
s'ka andërr që e kap
s'ka yll që ta ndriçon
lutju kujt të duash
fryma rrahë për ftyrë, përpjekë për buzë
ishte dëshirë
me vdekë e mos me u ngritë.


7.
'Jam ajo, vajza e revolucioneve
s'lashë llogore pa kenë
pa luftue
pa ngritë grushtin
pa bërtitë,
s'lashë popull n'kambë pa ngritë.
Jam ajo vajza që theva klonin për lirinë
n'krah temin kisha vetëm dashninë
por me nji plumb na e zhdukën andrrën
para se m'dalë shpirti m'përdhunuen
e përdhunuesin tem tash e shoh t'veshun me pushtet
Jam ajo vajza që vdiqa burgjeve t'fitimtarëve t'luftës
ma dënuan gjakun deri në t'pesëmbëdhjetin brez
e sot ata që më mbytën pinë kafe te 'Europa'
mu n'zemër të Tiranës, jo shumë larg malit me Gropa.
Jam ajo vajza që u rrah në trotuaret e Shkodrës
nana natën doli me m'mbledhë këpucët lulishteve
e tash torturuesi jem flet n'parlament
e prej plagëve t'mia dikush u ba mbret
Jam ajo vajza që palodhë e përdorën n'sheshe
me thirrë e me u vra për demokracinë
me tanke, pushkë e bomba kundër temit njeri
e tash idealistët me gushë t'varun i shoh
s'kanë për mue as edhe ma t'voglën lëmoshë
Jam ajo vajza e greva t'urisë të dështueme
edhe pse duatrokita për palën e fitueme
e tash ai që m'urdhnoi 'mos me ha, mos pi
se unë për te isha luftetare për nji rend të ri
dhe jo dora e njerëzve që mbledhin kanaçe
sot m'krenohet në ekrane se veshet me Versaçe'.
'Zojë ju mund t'jeni edhe kjo që thoni
por sot asht pushim, s'ka revolucion'.
'...Atëherë flamurin kam për ta ba bohçe
brenda do e fus këtë atdhe
mbetë vetëm, pa bij, bija, shokë e shoqe
do i lidhi katër cepat nji nga nji
ny kam për ta ba këtë t'mjerë Shqipni
për me i gjetë tjera horizonte, tjera dashni'.


8.
Ka kohë që jam ba re
shtri e përhapë n'forma të ndryshme
trishtoj njerëz e qytete
herë rri e vogël
herë zmadhohem kur fryn erë
jam e lozonjare kur m'kapë shiroku
e rrezikshme n'murlan
S'më gjen te kanga
'koka n'Stamboll e trupi n'Janinë'
se ku m'fillon ai krye e ku me mbarojnë ato kambë
askush s'po e di
Unë shtohem, e shprishem
bahem e bardhë a e zezë
aeroplanët m'përshkojnë
m'prishin e m'shpojnë
nuk arrijnë në krahë me m'marrë
kur ulen e ngrihen
Kam kohë sa të dua
inatin t'ia nxjerr këtyne mjeteve
Pasagjerët m'fotografojnë
linjat dhe ngjyrat e mia
që lozin nën dritën e diellit
Por s'e di askush pse jam kështu
ta tham vetëm ty,
jam ba re me ardhë deri te ti
me t'thanë si ke ndje
e pak herë natën e mirë



9.
Kur isha krejt e vogël
e vogël n'moshën e vajzës, Zarës
n'kohën kur kalon nga pantallonat e shkurtra te fundet
funde te qepuna me dorë
ku dukej prej larg tegeli i penit
n'kohën kur i afrohesha pasqyrës me u pa me qoshe t'synit
syni që kap defekte te bluza e sipërme
e due me i shtri me dorë ngadalë
Kur nuk shtrihet e rregullohet
hap raftin e teshave dhe ndërrohem prapë
n'moshën kur rafti i nanës m'dukej krejt i varfën
se asnji fustan i saj s'më pëlqen
duhej me dalë n'dritare me pritë princin
N'mendje ishte krejt i vizatuem
duhej t'ishte patjetër i kaltër, por edhe zeshkan
sy bukur, veshun mirë dhe për ma tepër me kalë.
Por dritaren ma kishte zanë motra
kishte nja dy vjet që priste atje
ende s'i kishte ardhë, ende s'i kishte çue as fjalë
E kështu mbetë pa hapsinë me pa qiellin
dola n'oborr e hypa n'kumbullën ma t'naltë
atje askush s'ma zinte tapetin e madh t'yjeve
e as princi me kalë s'kishte si t'm' ikte prej syve.
U rrita dhe u bana e madhe krejt
atje n'kumbull
në netë t'bukura, në netë t'ftohta
Herë-herë shihja nga dritarja e motrës
ajo kishte vite hy brendë
ishte mërzitë princin e kaltër tuj pritë
Atje prej degës ma t'naltë
nji burrë krejt i zakonshëm
me biçikletë e nganjiherë me flokë pa krehë
mori motrën për me fillue bashkë nji tjetër jetë
E unë, gati n'moshën e gruas u ula nga kumbulla
dikush m' kishte rrejtë, dikush s'asht tregue i drejtë
s'ka princa në këtë jetë
n'andrra mund të shëtiste vetëm ndonji i shkretë
Edhe, ashtu si motra e hapa derën, dola dhe s'u ktheva
E tash kjo gruaja këtu, n'vesh i fryn vajzave t'saj
sa herë bie nata
mos e hapni dritaren, mos hypni nëpër pemë
princat s'dalin dot prej televizori, s'dalin dot prej librave
me ju mbajtë, me ju dashtë, n'krah e mbështetje me i pasë
leni ajrin t'ju marrë n'krahë, liria t'jetë i vetmi kalë
Ju jeni princeshat e mia
s'duhet me fluturue ndër ato andrra që isha vetë
Barbie dhe Winks, janë vetëm iluzione
janë vizatime n'beze
që lahen e shpërlahen me ujin e nji xhezeje.


10.
Nji fmi,
dhjetë
nji qind
nji mijë
tetëmijë
që prej tre vjetsh s'janë ma
n'Siri
vra, djegë e pjekë
n'tokën e shkretë, n'tokën që këlthet
si i hapen tana ato vorre
e lëkurën e tyne s'e çorren
a thue do u thahen duart për me i hapë tjera
nji
dhjetë
nji qind
nji mijë
vjet kështu ka mbetë
e kështu do të jetë
e unë n'dhomë t'gjumit mbes te dera
a janë aty vajzat e mia
a janë tuj pa andrra t'mira
a u lëshon fryma zhurmë,
e lajmet si hije m'rrijnë n'mur
s'më hiqen që aty edhe po t'i tremb me dorë
statistika OKB, raporte agjencish
negociata, luftë partish
muslimanë me dhe pa mjekra
tanë i kanë vra dhe po i vrasin fmitë pa iu fillue jeta


11.
Mos ma var at’ krye ashtu
A je krenaria jeme?
Gjaku im s’lodhet kurrë
a vërshon ai
në të tuat dhe te miat vena?
Çoje pra
M’shih në sy me aq pak dritë sa t’ka mbetë
A je madhështia jeme?
S’kam ku të trokas e t’ bërtas
po t’jesh e lodhun shumë.
do m’i mbledhësh duart shuk
zani ka për t’mu kapërdi n'grykë
E loti gropë synin ka me ma ba.
Mos ma var atë krye, pra, t’lutem
Vij me ndejtë me ty
Edhe pse frymë marr n’vende të tjera
Ah, mos ma mso se vuajtja ta ulë kryet
Se kam edhe unë fmi me rritë


12.
Edhe pak fillojnë qershiat
kohna t'bukura
lule, lule, rozë e t'kuqe
në shpejtim me u ba frut
Pse thue që m'dëgjohen ecjet e mia
frymë e hapa i kam t'urta
nuk m'shikojnë, nuk m'kuptojnë
as se kush jam e as çka due
e kam të vulosun n'shpinë që jam e huej
kangë të trishta në tana gjuhët e botës
i dëgjoj në këtë t'voglin kopësht
Qershiat këtu m'kujtojnë atë skutë
që i ika vrap, duke e tru'
gurë m'gurë
e rranjë m'rranjë
e tash n'stacionin e trenit po pres n'radhë
me ma falë dikush
nji vrimë a nji strehë
ndryshe do ishte sikur t'kisha pranë
Por m'duhet
krye e kambë sonte me i shpëtue
Burri plak e me mjekër t'bardhë
që shëtiste nëpër qytet me t'voglin furgon
nji çadër ma lëshoi n'prehën
's`il vous plait madame c`est votre premiere maison'
Eh, zemër qershia s'm'la me fjetë asnji natë
as kur poq,
as kur kokrrat nji nga nji i ranën n'tokë
'hajt pra mallkoje atë skutën Shkodër
që gjithmonë t'bahej e vogël e ma e vogël
që ta merrte shpirtin me kangë e lodër
provoje pra edhe njiherë
guxo
'ty t'shiloftë perëndia
se gjumi s'po me zen nën këto t'bukura qershia'


13.
S'kam për ta thanë ma atë fjalë
s'ke për ta dëgjue
jo për bè, asnjiherë
Se edhe nana më pat thanë:
'Vare vath n'vesh
mos e mërzit dashninë,
mos i thuej 't'due'
nji, dhjetë a qindra vjet rresht
mbaje vedin
ajo s'don fjalë
edhe pse shpirti ka kohë që t'ka dalë
dalë prej brinjësh e prej hundësh
s'ka gja diçka t'mbetë, ndoshta pak trup
mos harro se ai që t'dhashë e vogël
s'ishte as ujë e as qumësht
pak kojè buke bà si qull
e kurrë s'mu bane e smurë.
Por nji gja ma mbaj mend
mos e shuaj,
se nga hini s'u ngrit
asnji flakë asnji dashni'


14.
kam nevojë me t'dashtë
me e pa edhe njiherë qiellin me kryet përpjetë
me harrue se autobusi ka edhe nji kambë shkallë
me u rrëzue n'shesh pa i ndje dhimat
me qeshë deri sa t'na lodhen muskujt e faqeve
edhe pse kojshia na kërcet te muri 'mbyllni moj gojën'
kam nevojë me t'dashtë
mos me t' kërkue ma në lajme gazetash
a nëpër numërator telefoni me dymbëdhjetë shifra
mos me shkue vetëm në koncertin e 'Elita 5'
mos me u ba me baltë ndërsa t'përcjelli
edhe pse ato rrugë i kaluam të tanë
kam nevojë me t'dashtë e jo me t'drashtë
si at' qytetin tem t'vogël e t'lashtë

15.
E di,
i kam shkye tanë letrat e dashnisë
ato që i pata shkrue papushim
me ato që m’zinte nata e dita
e nata tjetër prapë
i bana copë e grimë
ika, duke e lanë shpinë mbushë
me shi letret t’bardhë
tuj kujtue se kam me shpëtue.
Ti nuk e di
Por unë u ktheva aty ku i kisha lanë
Nji kthim me bisht n’shalë
Dështimet e mia ba mullar përmbi mullar
M’priti nana
Pa i heqë këpucët e pa u shplodhë
Ma lëshoi shukun n’dorë
Letra t’ngjitme tanë merak
‘merre, gjeje pa ma kalue atë prag’
Ajo grue e pa fjalë
M’nxorri si ma t’mirën jashtë
Me t’kërkue diku
Kur ti je n’askund
Ajo tanë jetën ka rrejtë vedin
Tash do me m’rrejtë edhe mue
Se dashnia edhe me t’ngjitme mundet me gjallue.


16.
Në nji cep të stacionit të trenit
Atje, ndërsa dalin udhëtarë prej tuneli
Rrin nji burrë me mjekër të gjatë
Ai hesht
Bashkë me te
Edhe nji fizarmonikë e vjetër
Që e mban të shtërngueme si dashninë e fundit
Heshtja e tij fiton monedha kalimtarësh
Aty i kalon mëshira e mirësjellja
Ndërsa unë pres
Pres që nga treni
Me m’u ulë heshtja jeme
Ajo s’mban asgja ndër duer
Ka veç fjalë
Fjalë boshe
Të gjata si shina
Që ma çojnë e ma sjellin te ky stacion
Heshtja jeme nuk njeh melodi
Vegla muzikore apo dashni
shpesh asht nervoze dhe i pëlqen me pi
Ajo s’di me përqafë
Suvenire e histori të kalueme
asnji monedhë s’po din me fitue
E unë takoj zotninë
N’sy shifna përditë
fizarmonika për bé nji tingull s’i nxjerr.
E tabela elektronike më tregon
Se duhet me e marrë prapë në shpi
krijesën teme
që hesht me gojë dhe pa gojë


17.
Si e do vdekjen vlla?
Si do e fundin motër?
M’thoni
Këtu jam për ju.
A doni me vdekë në protestë
Vra si qentë
Në skena të ngadalta televizive
Që transmetohen pas darke
Dhe emnin me ua masturbue politika?
Apo doni me u përcëllue
Në zjermin e fabrikave që plumba shesin
E paret e përcëllimit tuaj i transferojnë në banka të huaja
Ndërsa ju me përfundue nji përmendore guri
Ku kurvat e kurvarët e pushtetit
Me ju qa në sekuenca të shkurta
E loti i tyne me u ba reklamë për zgjedhjet e tjera?
A e doni vdekjen t’ju vijë nga nji dorë
Që ka nji jetë që shkul zemra, që i fusin ndër xhaketa
Për me e varë ma vonë si suvenir
Suveniri i poshtnimit tuej shekullor
Dhe tanë me e mbyllë derën në darkë
Të qetë se shpëtuan pa ngordhë edhe nji ditë?
Apo e doni fundin prej atyne që e shesin vdekjen përditë
Me armë, drogë, bomba e rrena
Dhe ma vonë me ju shpallë pa u skuqë askush
‘Dëshmorë demokracie’, ‘dëshmorë atdheu’
‘Dëshmorë lufte’, ‘dëshmorë jete’
Ata atje nalt kanë tana kapsat
Me ua varë nga nji titull
Me ua dhanë familjes nji copë xhami
E me i përcjellë me nji shqelm bythës?
M’thoni pra si e doni vdekjen?
A doni me u aksidentue ndërsa shkoni për gjah
Dhe t’u dalë shpirti të vetmuem
Në nji katund të humbun
Se dikur ke guxue e ke përmendë emna
Ke folë për perënditë nalt
Ata që e kanë ngritë kultin e tyne
Në shtllungat e gjakut
Që nuk ua kanë qorrue ende sytë.
A doni me kenë heronj
Që morët njimijë plagë ne luftë
Plagë plumbi e plagë shpirti
E të vdisni në heshtje
Të vdisni se mjeku harroi me kalue atë ditë?
Nëse vdekja ju duket ma e bukur
Me qafën rrethue n’konop
Shprehuni
Konop ka për të tanë
E do futeni në statistika shoqatash
që paret i fitojnë lumë
Nga dëshpërimi i juaj?
Motër më trego, nëse do, i mbyll vitet
Si prostitutë
E trupin tand me ia çue familjes
Në qese celefoni pesëkilëshe?
Apo do që nji maniak me ta pre kryetin
Me atë kosë që dje preu grunin,
Gruni që bahet bukë
E koka jote t’bahet lajm gazete?
Vlla a do me vdekë në Siri
Me tritol apo nga breshëritë e armëve
Që shkrepen me shue njerëz
Se thonë jena ba shumë?
Ah mos shihni me shpresë andej sipër
Zoti asht i zanun, ka ndër mend me ba nji djalë
e Muhametin e la me ia ruajtë gratë.
Unë jam shpresa
E juaja jeta dhe vdekja.


19.
Zgjedh kush asht e kuqja e kush e zeza
Unë apo ti
Takohemi në janar apo maj
Takohemi n’det a n’mal
Vetëm zgjidh
Unë due me e ditë
Që jetën ta ndërtoj përditë
Nga pak
Nëse jam e zeza
T’dal e ta blej pak diell
T’dal e t’blej shumë miell
Do m’duhet me t’rrejtë
Që e bardha
e ndriçme jam.
Nëse jam e kuqja
T’dal t’blej pak hi
Pak shkrepse, ndoshta nji kuti
Do m’duhet t’rrejtë
Që gjaku
Edhe po deshe ti
Nuk jam.
Unë s’mund t’jem as e kuqe as e zezë
I takoj ngjyrave
Që dallohen me vonesë
Por ti zgjidh
Unë këtu jam
Kam kohë
Shumë gjatë edhe mund të t’pres.


20.
Zara m’numëron thinjat
Nji, dy, tre
Dhe nji n’ballë ra për gjysë
S’thotë asnji fjalë
M’shkruen përditë poezi
M’ban dhurata
E lodhet tuj shpik mijëra gjana
E prapë numëron
Nji, dy, tre, katër
Pesë, atje n’maje t’kresë
Përditë m’rrok e m’shtërngon
Kujdeset për flokë e thonj
Dikur,
Njiherë
Me zori e kapërdin nji lot
Por loti tjetër sjell vajin
Po i plaket nana
Thinja asaj i dalin
Se kush ka thinja vdes
E unë due me u shkri tuj qeshë
Nesër kam për ta ble nji bojë
Me i lye pesë fijet marroqe
Që m’kanë mërzitë të vetmen shoqe
Nji, dy, tre, katër, pesë
Veç për këtë Zarë kurrë s’due t’vdes.


21.
A e din sa herë kam dekë unit?
Sa herë syni s’dinte me të takue
As në rrugë, dyqan, a tren
Fshehesh
Mbyllesh
Kyçesh
Dhe uja më mbyt
Më zhyt
M’i len duart n’fyt.
A e din sa herë kam dekë unit?
Sa herë zemra harronte me rrahë
As në shpi, punë a shkollë
Paradite
Pasdite
Ditë për ditë
Dhe uja vinte
M’shihte
Rrinte
Therrat m’i linte.
Por pas çdo vdekje kam lindë
Jam ngritë
Me dromcat e të tjerëve jam rritë
E tash as nana s’më njeh
Edhe pse më sheh
N’dritë
E n’terr
S’thotë asnji fjalë
Zotit i lutet ngadalë
Kërkon t’më shpëtojë
Nji tjetër
Nga t’mia rrënoja
T’krijojë.
Por, uja zemër, më ndjek
Edhe pse me dorë s’e kam prekë
Dhe mue po m’pelqen
T’shtrihem me te n’shtrat
ta mallkoj
ta shiloj
e n’dreq ta çoj
por s’kam kujt t’ia tregoj
se m’ka lanë pa gojë.


22.
Flokët që më mbetën n’dorë
Kur u grindme për lojën e fundit
Po t’i jap sonte.
Dhimbjen s’kanë për ta lehtësue
fmininë kanë për t’kujtue
Oborrin, topin, konopin
Rrugicën, kukllën prej pecet
Biçikletat, gjujtë tanë gjak
Shoqet, shokët,
Bishtalecat, pantallonat e shkurta
Fustanet nga dora e nanës qepun
Merri pra flokët,
po t’i kthej
tanë këto kohë qenë t’etun,
por i kam la, i kam mbajtë me kujdes
mbështjellë e ruajtë nën jastëk
t’vetmet gjana që m’kthenin në këtë qytet
Kalojnë shpejt motër, kalojnë vitet,
Shoh që u paske ndryshue buzëqeshjen
Ngjyrën e krehjen
nëse këto që kam ndër gishta
nuk të duhen ma
po i marr me vedi
me to po kthehem n’shpi
që s’ashtë në vendin tem.
E kësaj here do i vari n’tel
do t’i la keq me u djegë e me u thà
ashtu si lojnat na u morën,
lojna që nuk na kthehen ma.


23.
Unë nji bombë kam për ta hedhë
ma s’parit me xanë birat e murit t’shpisë
që pikon përditë e përnatë,
si grue që qan pa prà
e kur t’i mbylli
kam me fjetë rehat.
Bombën kur ta hedhi
due me m’prishë zhurmat e ditës;
gjeli që m’këndon nadje pa zbardhë
ajo gruaja që shkund shpinë n’zheg
ai burri që gozhda ngul n’darkë
e kur t’m'pushojnë zhurmat
kockat kanë me m'u shkri.
Por bomba, si njeriu,
prej marazit ka për t’plasë
e pluhnin që ka për t’ba
kam për ta mbledhë
e me shpinë n’grusht e n’xhep
kam për t’u nisë larg
me ndërtue me te
andrrat e prishuna.


24.
I
Mjellma e bardhë, si gjumi i ambël
E bardhë si njajo ré që po m’kalon n’dritare
E bardhë si njaj pllumb që han farat që njerzit lëshojnë për te
Por pra, njajo mjellmë, që na kënaqena liqeneve
Kur t’vjen ngadalë me t’marrë atë që ke n’dorë
Ajo,
aq e butë,
e hangri t’voglin e vet
s’i la asnji pendë jashtë sqepit.
Të tanat shoqet e panë.
Kur e mbaroi foshnjën, ajo u ba korb
Kishte netë që sqepi i saj nxirrte vetëm kangën e zogut t’zi
E asnjena s’ishte afrue
me ia mbështetë pendën e bardhë n’at shpirt t’vetmuem.

II
Judita n’krah shtërngonte Mikailin
I vogël ma sa nuk bahet,
I lindun n’drrasat e ftohta t’Aushvicit
I ushqyem me tamlin e nji gjini t’vorfën.
Ferishtes asnjiherë s’iu dëgjue zani
Za i uritun për me qa,
Ata të dy, në turmën e madhe e t’zhvoshkun
Po i çonin në dhomat e britmave,
Atje ku njerzit rrjepnin njeni-tjetrin
Më kërkue shpëtim n’lëkurën e dikujt.
I zhdeshën,
I thanën më e heqë edhe shpirtin prej trupit.
Mikaili i vogël s’bante za
Ashtu skelet n’dorën e nanës t’vet
Pa me sy t’lodhun tek u mbyllën dyert dhe u ba errsinë
Iu var nanës s’vet n’cicën e majtë
Judita, me kangën e korbit n’krye,
E shtërngoi fort foshnjën e vet
Pas atij gjinit t’varun,
Gji s’diti me e ngi asnjiherë
Mikaili tund fort kambët, e pastaj ia lshson nanës n’bark
Ai ishte i lumtun n’at botë ndërsa gazi sarin
Filloi me e vra kadalë Juditën.

III

N’atë anë të detit
Janë mbledhë korbat e botës në nji vend
Kanë kohë që këndojnë nën dritaren e mjellmës,
Nën ballkonin e Juditës
Në pragun e Edlirës.
E unë i harrova ftesat për tetë marsin e tyne në kuzhinë.
Duhej t’më ishin kujtue zogjt e zinj kur fustani i kuq m’u kap për derë
Ika me vrap, doja me festue.
Tanë thanën n’lagje se ato të zezat janë mbledhë për grunin,
por grunin n’gurë s’rritet.
Ikme me vrap për më kërcye
Harrueme Edlirën vetëm n’shpi
E harrueme n’terr
E harrueme te ai tuneli që s’ka dritë n’fund.
N’at tunel që kena hy edhe na,
Por që me thonj e dhambë e kena ndriçue
Edlirë, moj motër, t’kishe ardhë me mue
Do i kishe ato të shkreta duar t’lodhuna
Do e kishe kokën të turbullt prej pijes
Prej zhurmës së muzikës,
Do i kishe kambët copë prej valles
Do ishe e përmallueme prej gëzimit t’grave,
Grave që dinë me e hedhë nji lot për nanën e tyne edhe n’ditë feste.
Ah, e mjera unë, ftesat janë ende n’kuzhinë.




Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde