Gilmana Bushati: Greta





Nji ditë pranvere me aromë të kandshme lulesh gjithandej. Kështu e nisi nadjen Greta, e cila, sa hapi dritaren, mbushi mushknitë me erën e drandofilit, që i varej kryti te saksia e madhe dhe i erdhi nji dëshirë për me e përkdhelë si fmi t’vogël. Oh, sa kohë kishte që nuk ndjehej kështu.
Ajo mori çantën për me ba pazarin e ditës. I kishte të tana, por i ishte ba zakon me shkue me gërmue nëpër perimet e freskëta apo erzat me aroma të forta që zojat i sillnin prej katundeve të tyne me i shitë te pazari afër shpisë. Pastaj edhe nuk i shtyhej paraditja vetëm në shpi deri nga mbasditja vonë kur i shoqi kthehej prej punet. Kishte qejf edhe me bisedue me zojat që e kishin tanë kohën e tyne me i kthy përgjigje, jo vetëm për perimet, tamlin, voetë, specat djegës, presht e freskët, por edhe për ndonji ngjarje që kishin në katundet e tyre.
Dielli ndriçonte fort, tek tuk ndonji djalë a vajzë kishin guxue edhe me dalë me mangë të shkurtra edhe pse ende ishte fresk. Edhe asaj i hypi një dëshirë me e heqë xhupin e trashë që kishte hedhë përsipër, por ndërroi mendje. E dinte, se nuk do të ishte aq rezistente, kështu që u struk edhe ma shumë ndër vedi. U tha nadja e mirë të tana zojave të katundit që kishin ardhë që në pikë të nadjes me shitë gjanat e bahçeve. Gati të tana i kishte ftue për kafe në shpinë e vet dhe gati të tana e njifnin Gretën, që ia ruanin gjanat ma të mira, ose kur ajo i porosiste ndonjë gja, ia çonin nadje, në gjashtë sahati, deri te shpija dhe ajo ndjehej krejt e privilegjueme. Nuk asht se blevi shumëçka, vetëm dy gjana hodhi në çantë. U kërkoi zojave pak pistil për me e pasë për të shtunën. Donte me ftue bijat me bashkëshortët e tyne për drekë e kishte ndër mend me ba peshk. 
Pyeti Dilën prej Bërdicet dhe ajo i tha me shkue pak andej, deri në fund të pazarit. Dila i tha se kishte ardhë nadje me furgon me dy zoja prej Pulajve, të cilave u kishte pa edhe pistil. Ajo i tha t’ua përmendte emnin e saj dhe ato të dyja kishin me e shërbye me pistilin ma të mirë edhe ‘nëse nuk kishin gja sot, thuji me ta sjellë nesër’. Po i afrohej fundit të pazarit, ku pa dy zoja, shtërngue për njena-tjetrën, ulun në nji stol t’vogël dhe para kambve kishin strajcat me perimet e tyne të freskëta. Ato ma shumë e kishin mendjen te biseda e tyne, se te njerzit që kalonin, ishin mësu me u kalue ma shumë kalimtarë se sa klienta.

***
-…e shkreta ajo, s’ka ma se ç’ka me i ba t’shoqit, i kanë thanë me e çue në spital t’marrve disa veta, por ajo s’don me e çue, por për Krisht nuk duket i marrë. Për Kishë të Laçit asht e vërtetë ajo që thotë ai, se njerzit flasin, kanë tregue edhe herë të tjera se kanë pa gjana. A e din maj Gjinë pse i thojnë se asht i marrë, se kur shteti donte me mbledhë, ai pat shkue me i fshehë armët në pyll e atëherë i ka dalë për herë të parë. Dikush thoshte se ‘ajo’ i kishte bërtitë, dikush se i kishte ra me diçka në krye, dikush…aiiiii, sa muhabetet patën dalë atëherë, nuk dihet se cila asht e vërteta. E ka ndihmue Jezu Krishti, se t’i kishte dalë Frrokut tem kishte me pas dekë në vend.
- E t’i thue prapë e ka pa aaaa? Njiherë Shtjefni ma pat thanë që ka pa diçka në pyll, por ma vonë më pat thanë që kishte kenë pijshëm dhe se i kishte folë pija para mendjes.
- Po pra, i ka dalë prapë vjet, por nuk ua ka tregue shumë njerzve prej frikës se po e qeshin. Po mue ma tha Mrija, ai ka dalë me kërku Tinën, lopën, dhe ‘ajo’ i ka dalë. Po Mrija m’asht betue për Zojë t’Shkodrës, se ‘ajo’ i ishte lutë, por ky prej friket kishte ikë.
- Uff ça po m’tregon pashë zoten, më shtine të dridhnat, shif, mishi kokërr. Po Rroku çka ba, a t’ka thanë Mrija gja a?
- Lene se kur po ma tregonte Mrija unë shtërngoja rruzaret dhe lutesha për Kishë të Laçit me më mbrojtë fmitë e familjen, familjen e Mrijes dhe vetë Rrokun, por edhe për ‘atë’ të shkretën, kushedi sa vite ka ‘atje’. Po thojnë se vetëm Rrokut i ka dalë, se ka pasë dhe të tjerë që kanë shkue te ai pyll, por s’kanë pa gja, as natën e as diten. Mrija s’më ka tregue se çka ka ba Rroku.
-Uuu, qe, se jena harrue në muhabet na të dyja, çka urdhnove zatnia jote ? – i tha Gjina Gretës.
-Dëgjova historinë tuej dhe nuk mora vesh shumë gjana, çka ka ndodhë ndër ju ? – e pyti Greta Gjinën.
-Histori të trillume moj ta marrsha, gjana të turbullta, asigja e vërtetë thojnë që këtij Rrokut i ka dalë nji xhind, gru, vajzë biles, thotë ai, që i kërkon prej tij diçka. – ia shpjegoi shkurt Çestina.
Ajo zonë i kujtonte Gretës dhimbjen e saj të madhe, prandaj priti se mos gratë i thoshnin diçka tjetër,  por s’kishin ma shumë detaje, veç dy rreshta.
-Unë e njoh atë zonë, por hera e parë që po dëgjoj për Rrokun, a ka kohë aty ? – i pyeti gratë.
-Ka nja katër a pesë vjet që janë ulë prej Dedajve, apo ka ma moj Gjinë ? – ktheu kryet nga shoqja e vet.
-As unë s’di sa shumë, por ka disa vjet – iu përgjigj Gretës Gjina.
-E ky Rroku a ulet ndonjiherë në qytet – pyeti Greta.
-Po moj si jo, ulet ulet, ditë diele e gjen te dyqani i Nushit, vjen, shet, blen e ikë. Por, po ta tham qysh itesh, mezi e nxjerr nji fjalë gojet. – i tha Gjina, që ia mbështolli pistilin që i kërkoi zoja.

***

Nushin e njifte, shiste mish të mirë, prandaj të dielen nadje u drejtu menjiherë të dyqani i tij. E kërkoi veçmas e në vesh, për mos me e dëgju të tjerët, i tha që kishte ardhë për Rrokun. Nushi u habit, se si Greta kërkonte ‘katundarin ma të marrë që kam pa’, por i tha sa të shkelte në dyqan kishte me i ba za. Ajo u soll nëpër pazarin e hapun sa me shëtitë sytë dhe kur hyni te dyqani, s’kishte nevojë me i thanë se kush ishte Rroku, se e njohu menjiherë, prej sjelljes. Nuk ishte i përqendrum askund, ishte nervoz se dyqani kishte shumë njerz dhe shante a fliste me vedi, por nuk i kuptoheshin fjalët. Greta u pendue që kishte ardhë e kishte kërku te Nushi për nji njeri si ai. E çka kishte me iu dashtë ajo histori, por gjithçka i interesonte të dinte se çka ndodhte në Pulaj. Rroku u sillte nëpër dyqan e kur hasi në sytë e saj, mbeti. Iu afru edhe ma afër, gati deri te hunda, pastaj u kthye nga njerzët e tjerë e dukej se po nervozej edhe ma shumë.
-A mundem me ju ndihmu me diçka zotni ? – e pyeti Greta me za dashamirës.
Rroku tundi kryt me i thanë ‘jo’ dhe hyni në rradhë dhe u qetsue disi. Edhe ajo hyni në radhë nga gratë, por nuk e la kujtesa, prandaj iu afru sërish atij.
-E njoh at’ anë prej kah vjen, ku të bjen me e pasë shpinë ?
Rroku e pa si i çartun, por ftyra filloi me iu zbutë ngadalë, madje bani nji përpjekje edhe me qeshë.
-A e din se më duket se të njoh disi… - i tha ai.
Greta mbeti dhe meqë ai dukej tashma i zbutun i kërkoi me ditë se si e njihte, sepse s’ishin pa asnjiherë ma parë.
-A dalim e flasim pak jashtë ?
Ata të dy dolën, por rruga e pazarit kishte shumë njerz e Rroku nuk po ndjehej rehat. Pa folë iu drejtunen nji cepi ma të qetë, ndërkohë që ai kishte ndezë nji cingare.
-S’e di, por ti ke krejt sytë e saj… – e la përgjysë fjalinë Rroku.
Nuk po arrinte me lidhë fjalët e tjera pas këtij pohimi. Me njenen dorë shtyu pak tymin e duhanit, për me e pa ma mirë zojën…
-…ti ke krejt ftyrën e saj… ndoshta të dukem i marrë, por due me të tregu diçka, nji histori që nuk tregohen në këtë zhurmë…
Greta kishte mbetë, ‘sytë’, ‘ftyra’, për çka flet ky zotni, a ky katunar i çartun.
-Due me të ftu për drekë te shpija jeme – i tha ai.
-Due me ma tregu tash, kush asht ajo që unë i ngjaj, tash a more vesh, se nuk due që dikush me u tallë me mue, edhe unë e marra që kërkoj nji si puna jote…kush je ti, kush asht ajo ? – e pyeti Greta që ishte e nevrikosun, por edhe me padurim me e ditë se çka po kalonte nëpër krye ky njeri i marrë.
-Mirë, ec e ulena te ajo kafja aty…
Ata gjetën nji kafene të vogël, vetëm me dy karriga e nji tavolinë e u shërbynen shpejt, se nuk ishte kush tjetër.
-Policia kishte dalë shpi më shpi me mbledhë armët që ishin vjedhë kur u shpërthynen depot, e ai që s’i dorëzonte me vullnet të lirë, kishte me u dënue për armëmbatje pa leje. Atëherë pata marrë shumë armatim dhe ata që s’i kisha shitë, i kisha në shpi. E di, që nuk të duhen tana këto gjana, por ja që s’po di nga me ia fillue. E dija nji vend, që pak shumë në katund e dinte, ishte nji kasolle në pyll, gjysë e rrënueme, por e kishte aq vend sa me i lanë në siguri armatimin. Dikur komunistat e kanë përdorë për me ba gjanat e qoftëlargut. Isha i ngarkuem si mushkë dhe pa iu afrue kasolles, pashë shkurret që lëvizën. Mendova ndonji lopë ose thi kishte me kenë mbrapa. Kur çka me pa moj zojë, nji vajzë e gjatë, si me kenë lis, trupi e ftyra e saj ngjyrë uji, po sytë i kishte kuq si gjaku që na del neve prej dejeve. E çova mendjen fill te Jezu Krishti dhe mbylla sytë tue iu lutë atij që me më zgjue prej atij ankthit. Hapa sytë, por ajo ishte aty. Nuk m’u afrue, por hapi gojën e mezi nxorri dy fjalë, si uji që lëvizë papritë prej ndonjë fjollë eret: ‘due nanën, ma gjej nanën’.
Greta u mbajt për shpindën e karriges së Rrokut dhe shtërngoi nofullat. Ai e pa ndryshimin e gjendjes së gruesë që kishte n’anë, por nuk e pyeti nëse ishte mirë, sepse donte me mbarue tregimin e tij.
-Nuk mbaj mend asgja, se kur u zgjova e dielli me binte mu në mes të ballit, isha i shtrimë në  mes armatimit, por e vetmja gja që më erdhi në mend me ba, ishte me lanë aty armatimin e me ia futë vrapit. Ika në shpi e nuk fola me njeri. Atë natë nuk më zuni gjumi, sepse pyesja vedin ‘çka i duhet nana nji qënie të tillë, që s’ishte as njeri
-Zotnija e jote, këtë përrallë që tregon ti sa andej e këndej mundet me kenë dhimbë për dikë. – i tha Greta ndërsa po bahej gati me u ngritë prej karriges, po rende s’e kishte marrë vendin prej nji luhatjeje të shpejtë të tensionit që po e kalonte.
-Nuk asht përrallë, nuk asht. Mbasi e mora vedin nga tanë kjo histori, vendosa prapë me shkue te kasollja, por këtë herë jo vetëm, mora dy shokë me vedi. Pjerinin e Tanushin. Shkueme deri te vendi e atje u tregova se çka më kishte ndodhë. Ata patën qeshë. Kena pasë pritë deri në t’errun, por nuk ndodhi asgja. Më këshillunen që mos me ia thanë kujt, se tash më marrin për të marrë. Sa hyna në shpi ia tregova edhe Mrisë. Edhe ajo qeshi.
-Po e kuptoj se po rri kot me dëgjue këtë histori që e kam të dëgjueme pak a shumë – dhe Greta u mor me çue prej tavolinet.
-Prit, prit, më duro edhe pak minuta…djali edhe nji teke raki – iu kthye kamarierit që po lagte me ujë trotuarin para lokalit.
-Vjet, po po, në qershor, - vazhdoi Rroku - Tina, lopa, nuk m’u kthye dy netë nga kullota. Ajo zakonisht vjen, se e din rrugën për n’shpi, por gruaja u pat ba merak se lopa ishte e mbarsun. M’u desh me dalë me e kërkue gjithandej. Dikur u lodha dhe u ula me pushue, po vinte zhegu e unë kisha gati katër sahat tue e kërkue. Kur për njat Zot që asht në qiell dhe  më vraftë tue e pi këtë teke, m’doli prapë vajza. I  rashë vedit fort n’ftyrë. Ajo rrinte larg, nuk rrinte, gati fluturonte, si me pasë ndër kambë ré. M’u lut prapë ‘më gjej nanën’. Sa mora me e pyetë se ‘kush asht nana jote’, ajo u zhduk.
Greta nuk e mbajti vedin, por vuni ftyrën ndër duer dhe idhnimi i tanë kësaj kohe që tregonte Rroku historinë e vet u kthye në vajë.
-Ajo vajza pra moj zojë kishte sytë…
-Të lutem mbylle, nuk due me dëgjue ma – i tha ajo.
-Eja pra se të kërkon, nuk po prehet e qetë atje ku asht…

***
Kur hapi sytë Greta e pa vedin në spital e afër shtratit i gjendeshin bijat e pak ma andej bashkëshorti. I thanen se e pat sjellë Nushi, shitësi i mishit, me nji katundar që kishte kenë te dyqani i tij. Thjeshtë lodhje i kishin thanë doktorët dhe që kishte nevojë për pushim, por gjithësesi ata ishin frikësue.
Ajo iu lut të shoqit që ishte ma mirë dhe ta nxjerrte prej aty, se kishte nevojë me shkue në shpi. Vetëm të nesërmen e nxorën prej spitalit. Sa shkoi në shpi u kërkoi të tanëve me e dëgjue me vëmendje.
-Duhet me shkue në Pulaj, dikush e ka gjetë se ku e kanë varrosë Mirën.
Tanë mbetën me gojë hapë. Mira pat kenë vajza e madhe e shpisë, dhimbja e të tanëve. Pak para se me mbushë tetëmbëdhjetë vjetorin ajo kishte ikë prej kabinet të plazhit, që e kishin marrë për pesëmbëdhjetë ditë dhe s’ishte kthye ma. E kishin kërkue gjithandej. Të nesërmen e zhdukjes i patën thirrë në degën e Punëve të Brendshme të Zonës në qytet. Atje i patën lajmërue për kobin, ‘ua kemi qëruar vajzën, ka shkelur Kushtetutën e vendit, ka kryer tradhëti të lartë ndaj atdheut’. E kishin vra. Mira me nji grup shokësh ishte përpjekë me e kalue në Jugosllavi me not, por të ngaqë nji pjesë e grupit ishte lodhë, kishin dalë në breg dhe aty i kishin kapë ushtarët që ruenin kufinin. Sipas tyne, të rinjtë nuk i ishin përgjigjë thirrjes me u ndalë, prandaj ishin qëllue. Shumë ma vonë ata patën marrë vesht se ata ishin marrë në pyetje, e pastaj ekzekutue. Greta me Shabanin, nuk patën kohë me e qa Mirën, se kishin frikë se ata vetë, bashkë me dy vajzat, të vogla atëherë kishin me përfundue në ndonji kamp internimi, ose edhe ma keq.
Nuk vonoi shumë dhe ndryshunën kohat, që u la mundësi prindërve me fillue me kërkue për vendin ku e kishin varrosë ushtarët. Kërkunen me vite deri sa u lodhën. Nji ish-ushtar i asaj kohe i pat thanë që mos me e kërkue ma se trupat që i vritshin ata i hidhnin në det, me varka shkonin deri në gjysë dhe i hedhnin diku larg.
Shabani kur dëgjoi ato çka i tha Greta, i tha që i kishte ikë mendja, nuk mundej ajo as me u sëmurë dhe as me marrë mendjen e nji katundari që flet për fantazma, të cilat për ma tepër i kërkojnë atij me i ‘gjetë nanën’.
-E fundit Shaban, e fundit, hera e fundit që e kërkojmë…të lutem.

***
Ata shkuen tanë bashkë në Pulaj me kërkue Rrokun, që e gjetën n’oborr tue u kujdesë për bagëtinë. Ai pranoi me marrë me vedi vetëm Gretën e askënd tjetër. Mrija, e shoqja e Rrokut, i dha zojës nji gur, sipas saj, i shenjtë, e kishte heqë me dorën e vet prej Kishës së Laçit dhe që kishte me e mbrojtë prej shpirtnave të këqinj. Shkunen të dy bashkë deri te kasollja, tashma e rrënume krejtësisht dhe pritën. Zheg, kangë zogjsh, zhurmë gjethesh e nxehtë, shumë nxehtë, edhe pse nën hije, djersa secilit i kullonte çurg. Nuk vonoi dhe u dëgjue nji zhurmë krejt e ndryshme nga zhurmat e natyrës, Greta shtërngoi gurin që i kishte dhanë Mrija, ndërsa Rroku, edhe ose tanë frikë krenar që i kishte premtu Shabanit që kishte me i dalë në krah zojës së vet per çdo gja.
-E gjete ma në fund ? – sikur iu drejtue Rrokut, por trupin e drejtoi nga Greta.
Ajo kishte mbyllë sytë, por kur dëgjoi se pëshpërima po i afrohej bani guxim dhe i hapi.
Fëmija nuk dëgjohet, fëmija ndjehet se asht fmi.
Gretës i rrodhën lot, ato që s’i kishte pas derdhë prej kohës që kishte vendosë me e ndalë kërkimin e Mirës, por nuk lëvizi prej vendit.
‘Ajo’ lëvizi në nji shteg pyllit dhe ata të dy filluen me e ndjekë. Asgja s’ekzistonte ma, veç kjo botë e vogël pylli, që duhej të ishte i bukur, por që s’ishte koha më u mrekullue me ‘te. Kur ‘ajo’ u ndal, u ndalën edhe ata. Nji grumbull kallamash, në mes tyne boshllëk.
-‘Nanë, sa mirë të pashë edhe njiherë…ajri po më merr e s’kam shumë kohë për fjalë… Kujdes, banu e fortë, si me mue, aty nuk jam vetëm.

Pranvera filloi me djegë

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde