Letër e Linës

Motër, po prisja autobusin si çdo ditë në orën 07.00 për të shkuar në punë. Ai po vononte, siç bën zakonisht. Aty pranë meje ishin dy vajza, edhe ato po niseshin për punë. Mendova me vete se ata që nisen në punë në këtë orë të ditës, apo më herët, janë thjeshtë hallexhinj, që mezi u del për të ngrënë, që e shtyjnë jetën, ashtu siç e di që e shtyj edhe unë. Po vajzat ishin të qeshura në atë orë. Po mendoja se fëmive nuk ua kisha lënë drekën gati, por vetëm i kisha porositur, kur rastësisht dëgjoj bisedën e tyre. Duhet të ishin të të njëjtës moshë, po njëra i kishte flokët ngjyrë kafe, tjera të zeza, njëra diçka më e shëndoshë se tjetra. Kjo e shëndoshta po i thoshte shoqes së vet, që mbrëmë kishte bërë thonjtë, i kishte bërë me xhel, i kishte limuar dhe që sipër xhelit kishte hedhur dhe një solucion tjetër, që nuk ia mbaj mend emrin. Në të vërtetë Motër, thonjtë e saj, ishin brilantë, dukeshin të bukur, të kuq të ndezur edhe si me ndriçim. Shkëlqenin në atë stacion autobusi, në gjithë atë vend të papastër, ku ndriçonte lehtaz vetëm reklama e një telefoni celular, ato thonj bënin dallimin. E shëndoshta i kishte paguar 25 mijë lekë të vjetra. Ajo e dobëta, nuk e di nga zilia, apo nga dëshira për t’u dukur edhe thonjtë e saj të bukur, i tha se e motra, që kishte një parukeri te cepi i rrugës, i bënte thonjtë, me 35 mijë lekë të vjetra dhe me modelet e fundit të thonjëve dhe të xhelit që kishte mbërritur në kryeqytet. Se ajo i kishte lënë në pikë të hallit thonjtë e saj se e motra kishte shumë rrallë të parukeria. E shëndosha, si me të qeshur i tha, se në momentin që do i bënte, t’ia tregonte edhe asaj, që nëse i pëlqenin do t’i bënte te e motra. E shëndosha e porositi, se nëse e fillon njëherë t’i bësh thonjtë, duhet që çdo muaj, ose çdo dy tre javë t’ia bësh sërish shërbimin. Në moment erdhi autobusi, ishte i ftohtë dhe shyqyr me vende lirshëm. Ato të dyja u ulën bashkë dhe vazhdonin bisedën e thonjëve. Unë u mbështeta për dritaren e autobusit dhe ndërsa shihja jashtë mendova se me aq lekë sa bëjnë ato thonjtë unë mund të kaloj javën. Se ato kanë të drejtë të kujdesen për veten, ndërsa unë duhet të fshehi thonjtë e mi. Dy netë më parë, u ngjit supa në kusinë e madhe, atë që më pate këshilluar ti ta bleja. M’u desh rreth një orë të merresha me të, ta kruaja me pak ranë e me tel. Nuk mund të them se si më duken ende thonjtë e mi. Kur erdhi faturinoja i përgjumur që të më merrte lekët, kujtova se më pa vetëm thonjtë, janë rrudhur, dhe brenda rrudhave ka mbetur pak nga gërvishtja që i bëri rana gishtave, nuk po flas për thonjtë. Do të shkruaj shumë shpejt, po ti e di Motër, që edhe kohën e kam si të shkurtër. Të puth Lina

------------------------------------------

Motrës teme Linë!
Ah moj Linë, zemra jeme, mos m’u mërzit. Thojtë e tu i shoh të bukur unë, ashtu si i ke pasë gjithmonë, janë thoj të duarve që ka mbi 20 vite që punojnë papushim me rritë fmitë e vet. Ato vajzat janë e ardhmja jonë Linë, nesër ndoshta edhe vajza jote ka me të kërkue lekë për me i ba thojtë me ato gjana, por ti s’ke për t’ia dhanë, jo se i ke thojtë e tu të vramë, po se ke me i msue se për t’u kujdesë ndaj vetes, së pari duhet me ia sigurue jetën vetes, pastaj të tjerat vijnë me radhë. Mos m’u mërzit motra jeme. Asht brezi i tillë, nuk e di a ka të drejtë me kenë kështu. Dy ditë ma parë erdhi te unë për vizitë Donika, ndejtëm, folëm e u knaqme. A e di si më tha: Vajzat e mia shohin tanë ditën televizor, e po u duket jeta moj Motra Tone, e kollajtë, si nëpër kolltuqet e tyne, u duket jeta si ato vajzat e ata djemtë që dalin nëpër shfaqje, nëpër emisione që janë vetëm për me folë, e me folë, e me këndue. U duket jeta, ashtu si na u duk neve Italia, që mezi e shihnim se na e merrte keq, e kur shkuen djemtë e mi atje, më thanën “mos t’ju rrejn mendja prej televizorit”. Kështu më tha Donika, ishte e mërzitun pak me vajzat. Ti s’ke pse mërzitesh, asht jeta Linë. Pastaj, të premten e kalueme, kjo kojshia jeme, që ti e njef se vjen e rrin çdo ditë të diele te unë, preu gishtin në punë, për faj të makinerisë së punës. E pronari, për mos me i kërkue shumë lekë, se gishtin e preu për faj të makinerisë që s’ishte rregullue mirë, i dha 100 mijë lekë shpërblim e një javë pushim. E kojshia jeme, që iu deshtën fort ato 100 mijë lekë e mbylli gojën e shkreta dhe tash hala pushim asht, vjen e rrin me mue. Mos harro me më shkrue dhe kur të vish kam për të ndezë oxhakun e dhomës së ndjejes. Më ka marrë malli Linë

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde