Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma


***

kur humba nji dashuri
në fakt, them humba
por s'e kisha meritu asnjiherë
pra du me thanë
kur atë që deshta
zoti e krijoi në një tren që nisej
për të mos u kthy
unë u mërzita shumë

zemra mu mbush
me nji mungesë të madhe dashnie
që s'ikte asnjiherë
përveç ndonje nate
kur zoti krijonte dikë në shtrat afër meje
por në mengjes ajo mungesë dashnie
kthehej prapë
e dinte rrugën
s'kishte shtëpi tjetër
përveç zemrës teme
E nji natë
thashë po e la pas dere
e po jetoj pa te
mirpo shembi derën
hyni në dhomë e mi grisi librat
ma përplasi telefonin për mur
ma ndavi dysh divanin
e m'tha, a don ma?
Jo i thashë
mjaft
dorëzohem
dhe me kohën u mësuam
asht ba e jemja
e kam për zemër

u zgjata, por deshta me thanë
diçka krejt të thjeshtë
se kur më sheh me sy t'varun
nuk asht mungesa e dashurisë
që më merzitë,
por asht mungesa e dashurisë tande


***


ah, dashuri
edhe mungesat
i kena me teprì


***



Zgjedhoj foljen jam
në kohën e
saj


***


dy që duhen
janëe ma shumë se çdo numër
e kur njeni ikë
tjetri asht ma pak se vetëm
por ka nji ftyrë
çdo kohë e jetume
nji ftyrë që pas krahëve
zgjatet
me pa

ka nji ëngjëll lamtumirash
që na don fort
t'puthi


***

Kur t'shof
m'i vjen syve
erë e mirë


***

ti ik,
e shkon nëpër natë,
madje s'ik askund,
ti je gjithmonë aty ku
qielli jem dihat,
e trupi m'braktis
toka m'lëshon,
kocat humbin pa vonesë
jam vetëm djersë,
te kam shpirt,
te jam shpirt,
s'jam shpirt
jam pendesë,
pa asnji vend,
pa forcëe pa mend
jam mjegull pa shpresë

a shef se prej teje
jam atje ku s'gjendem
me thuj se më don,
se jena dashtë,
se m'ke dashtë,
me thuj se ke me m'dashtë
edhe nëse çmendem


***



unë brenda përqafimit tand
jam një tjetër
i mrekullueshëm
e nuk tallem,
une shikoj gjithmonë rrugën
kur e nis makinën dikush tjetër
s'kam besim
jo se dyshoj, por m'duket se
po nuk e pashë unë rrugën
do përplaset
unë edhe në autobuz kur jam
shikoj rrugën çdo sekond
ma shumë se shoferi
nuk rri me frikë
mbase dëgjoj muzikë
a mendoj gjanat e mia
por jam ma i sigurtë nëse e shof vetë,
nuk ia heku syte rrugës
unë nuk rri as zgripave,
as cepave të lartësive
s'kam besim te toka,
më lëshon
i druhem thellësive
as fmi nuk kam hypë pemëve
se s'kisha besim
m'dukej se pikërisht ajo degë
që përqafoj unë
ka me u thy
e shokt me thoshin se janë fiksime
se isha frikacak
se kapen përditë te ato degë
e s'kanë si me u thy se janë shekullore
e në fakt s'ishin thy as prej erës
as prej rrufeve
dhe kështu nji herë
u kapa edhe unë
krejt pa frikë
e u thy

por kur ti më përqafon,
duhet të kem butonin e qetësisë diku në qafë
ti e gjen
ti s'ma thu
por e shtyp me gishta
me krahë aktivizon nji jetë tjetëer

e kur më përqafon
une i besoj
çdo gjaje
thellësive
humnerave
territ
degëve
zgripave
rrugëve
fatit
mungesës së tij
unë s'du me ia ditë
une brenda përqafimit tand
jam nji jetë e sigurtë
e mundem
me çlodh sytë
e me zbukuru botën
me qetësi
sa gjatë i rashë
m'përqafo




***

Unë vetëm deshta me të pytë,
sonte kur pluhni vetmisë,
mbi rrahje zemret asht ndalë,
t'lutem m'thuj,
sa ka me vonu me zbardh,
kjo nata e gjatë
qe ti m'ke falë



***

buzëqeshjet
janë shenja që t'kam lanë në ftyrë
për me gjetë rrugën e kthimit



***


sa t'bukura janë
vetullat tuja
që t'shtrihen përmbi sy
si dy fjalë të mira,
si dy urime
si t'ishin dy premtime dashnie
që rrinë në ftyrë
se s'dojnë me ikë asnjiherë
e kanë frikë me u plotësu,
si dy andrra
që gjumi kur doli i harroi në ty

e kundërta e shiut
s'asht dielli
por vetullat tuja
që shtrihen amël
si dy krahë ëngjëlli,


ndoshta të nji ëngjëlli që
s'kishte tjetër për me t'dhanë
e t'la veç krahët
e tesh e tallin ëngjëjt tjerë
se rrëzohet
ka humbë qiellin
e s'e thërrasin ma
me njoftu gratë shtatzana
por asht i lumtun
se fluturojnë sytë e tu
në atë ftyrë të amël
ku bajnë laradasha perënditë
e qeshin

janë vetullat tuja
kaligrafia e luleve
ditari i flutrave
Meka e përqafimeve
forma e mallit
radio që punon me luleshtrydhe
nusja e ujit
lemza e dritës

je ti,
që s'ke asgja të jashtëzakonshme
e asgja të zakonshme
mrekulli



***

a pranon
me i ndejt afër
me e respektu
me e dashtë
me e mbrojtë
e me u kujdesë për te
në çdo kangë të Leonard Cohen?

po,
thashë unë

E prej asaj dite
s'të kam tradhëetu asnjiherë
në çdo kangë të tij
t'mendoj veç ty
ty e asnji tjetër

ah, kjo lidhja jonë,
që as gjendja civile
s'asht në gjendje me e pasë
as kishat s'e kishin
por ne e dimë që asht
rrin aty
e shkrume
a thousand kisses deep

një ditë mbase na njihen të drejtat
edhe ne që kena
të njëjtin orientim seksual
me kangët e Leonard Cohen
natën vonë
si sonte
unë
e ti



***

E jona asht nji dashuri tjetër,
e vështirë,
e tmerrshme,
e marrë
si dashnia që prej askuj s'kena marre.
E nuk kuptoj pse po t’i them këto gjana,
që s'të interesojnë
tash, kur ti shihesh në pasqyrë
e mendon çka me veshë.
Por, n'ket çast
kjo asht e vetmja gja që dëshiroj në jetë,
me të folë,
me të thanë se drita në dhomë
bahet e kuqerremtë prej perdes vishnje.
Se orët po zbresin.
Se qyteti po braktikset.
Se për ne dy,
dashuria asht nji laps
me të cilin hyjmë në luftë,
të sigurtë se kena me fitu
kundra tankeve.



***

errësinë,
nëpër natë
shkëlqen vetëm mungesa jote
e kojshitë thonë
fike, se dona me fjetë




***

deshta me shkrue
nji poezi për ne dy,
gjeta edhe fjalët,
por s'mujta me i marrë,
se përmbi çdo fjalë
ne kishim vendosë nji andërr




***

me kohën
edhe njerëzit largohen
por s'të mundojnë
ata qe ikin larg
por ata që rrinë aty
veç një hap
përtej kurajos me i kërku



***


ti s'erdhe në pranverë,
kur erdhe ti
nuk ishte vjeshtë as verë,
as dimër

kur erdhe ti,
nuk e di saktë çka ishte,
por ishte krejt.



***



i ka të thellë,
e blu
aq blu
sa mundesh me u hedhë prej uret
brenda syve t'saj

i ka blu,
të thellë e plot me blu
aq sa çdo blu tjetër
më duket e verdhë

ajo i ka sytë blu
e po t'jetonte në jug
do e pushtonte Greqia

blu
të fortë
po, janë të fortë
sytë e saj e rrahin ma t'fortin prej jush
me nji dorë,

sytë e saj
të shejtë
që m'bajnë ato gjanat
brenda trupit
ato që ndjehen
ashtu
mrekullinat
po thojmë

sytë e saj
të shijshëm
janë fryt
që lëshon
mjegull e mjaltë
po s'e ka njoft bota atë mjegull
e s'ka lindë ajo bletë
që e ban at mjaltë
veç sytë e saj
pra
blu
aq blu
gjithmonë blu
aq sa
s'di


***

bukën e përditshme
jepna sot
edhe ujin
ose nji picë
edhe gjumin në zheg
edhe nji qen nëpër shpi
edhe fjalë me thanë
edhe qetësi
edhe diçka me andrru
nji tren me u nisë
dikë që na pret
edhe qetësinë
edhe buzën e saj
edhe nji punë
që me ken n'punë tonë
edhe perqafime
edhe diell n'pullaz
e mica që lëpihen
edhe këpucë atlete
e bluzë ngjesh për trup
për kur bjen shi
edhe buzën e saj
kte na e jep dy herë
hajt katër po thojmë
pesë
pesëqind
pesëmijë
pesë milion

pesëqind milion
e s'e diskutojmë ma




***

të du,
m'thuj si me ti nisë
këto mijëra bubrreca
që kam në gjoks



***

unë s'dashurova,
ata që dashurohen
mësohen me dashtë,
s'iu ban përshtypje

u shkon mendja
e kuptojnë
e kërkojnë
e gjejnë

ia njohin oraret dashurisë,
trokitjen,
e dinë zemrën
përmendsh

unë jo,
unë u përballa rastësisht,
m'u desht me u marrë
me nji dashuri
unë s'disha a me ikë
a me ndejt
ku me shku
kujt me ia thanë
ke me njoftu
a m'pau kush
a ishte lojë

unë atë ditë
nuk kisha as fjalë me vete,
as kohë,
nuk kisha as nji zemër që t'ishte
e përshtatshme
për këto raste

unë s'dashurova,
veç e mora,
dashurinë
dhe e mbajta
e kam akoma sot


***

ke plot frymarrje,
që po ti là mbështjellë me ajër
për kur t'kthehesh
sado vonë


***

du me ken
dreka jote

më ha
me buzë
me gishta
si kafshë
me ha pa kulturë
jo si në Paris
më ha
si në shpellë
me babzitje
e copa të vogla që ndan
hedhja micave
du me ken proteine te ti
më ha
që tjerët të thojnë t'baft mirë
se do ishte e vetmja herë
që unë t'baj mirë


***


nuk arrij me shkru asgja,
bisedat kanë mbaru
fjalët kanë mbaru
dita ka mbaru,
birra ka mbaru

frigoriferi më tremb
kujtimet po ashtu
shtrihem
s'flej
ngrihem marr nji libër
por librat sonte
janë nji lavaman i bllokum

provoj me hedh në youtube
heshtjen tande
pa sukses

ateherë ulem
e shof si flen uji në shishe
po nuk shqetësohem
s'kam arsye
s'jam ky unë
jam ai që m'zevëndëson
kur s'ndodhem këtu

e mendoj se
po t'isha për shembull
dhimbja jote e krytit,
ti do kishe pasë sonte
nji dhimbje që s'e ka pasë kush,
nji dhimbje elegante,
modeste
poetike

diçka e lehtë që t'ecë
në majë të gishtave
nëpër mend,
pupla
puthje
e aspirinave do iu thoje
lëshojeni, asht i jemi

e dimë mirë se do histori
janë si bisha,
qe i ke rritë kur ishin këlyshë,
që losin e
e të dojnë, e të lëpijnë
e të presin
e t'kërkojnë
e t'mbrojnë prej kujtdo
e befas, një ditë
të kafshojnë
kokën
pa ndonjë motiv

asht vonë,
do thërras urgjencën,
kushdo që t'jetë në turn,
s'kam nevojë për asgja
veç do u kërkoj t'më përqafojnë
miqësisht



***

Dy t'panjohun, burrë e gru
kalojnë ne rruge si pa t'keq e as në ftyrë s'të shohin.
Krim. Si mundesh me e ba kte gja?
A e kupton se unë për kët ftyrë,
kam humbë vedin.
Për kët ftyrë të drejtë,
të rregullt,
që përshëndet me edukatë,
që thotë gjana me vlera morale e juridike,
edhe profetike,
për kët ftyrë zotnish,
unë s'di ma ku jam.
E ti kalon e s'mi hedh as sytë?
Ti kalimtar çfarëdo e ke për detyrë me u ndalë
e me m'pa, e me thanë:
shiko sa gja e veçantë,
nji ftyrë që e ka lanë veç për ne.
S'po të kushton shumë nji shikim,
jo për mu,
se unë kam ikë prej asaj ftyre prej kohësh,
për sakrificën,
për kompromisin,
për shoqninë tonë pra
për gjithçka që kam humbë e që ti s'ke me e pa kurrë,
m'shiko n'ftyrë.


***

sa e vështirë
me dashtë kur dashuron,
e sa e pamujtun
me i mbaru
historitë e mbarume prej kohësh.

dashnitë janë dembele,
s'ta ndryshojnë jetën,
ta marrin me vedi


***

nji pasiguri lind sa herë marrim frymë
e tillë asht koha që jetojmë,
e pambërthyme
prandaj e dashur mos u çudit
për ne Akilet e fundit
me drandofile ndër thembra
e shpirtin ndër dashuri të thyme


***

e kam pa
kur ti merr frymë
edhe ajri qesh


***

e pashë,
e tash i kam mbyllë sytë fort
për mos me m'ikë
imazhi saj


***

e di se thahen edhe dashnitë,
si pa u ndi,
në majën e ditëve si manikyr
por syve t'mi, iu merren kambt, gjithmonë
kur t'ecin nëpër ftyrë


***

dje pasdite
nga ora 7 e gjysë
thashë po të dashuroj
erdha te ti
por s'ishe n'shpi
ka dalë, tha nana
pse e kërkon?
me e dashtë i thashë
me e dashtë, për ndonji punë?
jo, krejt për qejf,
eja tha, hyr
a po e pret se nuk vonohet?
jo, s'ka problem i thashë
mos u shqetëso,
te po e du nji herë tjetër prapë
nji ditë që t'jetë ma lirshëm
edhe ika
Tesh më thuj
nji ditë që je pushim
dite dile ndoshta
a nji ditë që bjen shi
e s'e ke ndër mend me dalë
edhe natën vonë s'prish punë
mund të jetë natë me bubullima
e dritare që përplasen
e dyer oborrit gjysë hapë
me t'shti frikën
natë pa drita
me qiell t'plasun prej vetimash
e me hajna nëpër lagje
po ti më thuj
se unë vi
e t'du
e iku
e pastaj ti më thu mos ik
me tan kyt qamet
rri këtu
s'na ka nxjerr dashnia jashtë
edhe pse,
kena pritë deri tash
s'po bijmë dekun
nëpër shi
për nji natë
presim të hapet koha
e duhena të nesërmen
n'ditë me diell
ma mirë
të mos jetë diell i fortë veç
se e kena bezdi
pak vrant
jo shumë
tek tuk
ndonji re
jo krejt e zezë
e bardhë
e vogël
pak
në cep
diku


***

Mbase
Mbase do takohena ne të dy ndonjëherë
se qytetet tona janë ma të vogla se fatet
do lëshojmë veç nji përshëndetje në erë
si fjongo që mban lidhë puthjet dhe inatet

A ndoshta do takohen të gjithë përveç nesh
e tillë asht kjo botë me habitjet pa çudi
por unë them le t'dashurohen vesh më vesh
ata që u veshën me pellgje e me shi

Prandaj kur një ditë nga ato ditët normale
ke me gjetë nji kënaqësi që amël flet me ty
do mendojnë se je e marrë apo krejt banale
por ti e din se jam unë ajo kënaqsi pa arsy


Asaj

Shkodra...
asht nji rrugicë e vjetër
me muret e laguna prej shiut
qe s'din me pushu, me muret e nalta
qe s'dijnë me mbaru...

Shkodra asht nji rrugicë e vjetër
mes oborresh me luleborë
ku dhe vitet ndalen
për me i marre erë...

Shkodra asht nji vajzë brune
që t' kalon afër
pa t'i hedhë sytë
e ti e ndjen se vdes për aromën e saj

e kur ke mbetë vetëm
kthehet e të përqafon
e t'i derdh flokët
nëpër sup

Shkodra...
asht gruaja e bukur
e historive t'pafund
Shkodra asht nji adoleshente
që skuqet prej puthjes së parë
e nuk din çka ban...

Shkodra asht e vjetër
kur zbehet n'mendimet e ngurta
Shkodra asht e re
kur shfleton pranverat tan shpresë...

Shkodra asht nji ballkon,
kitarre, dëshire, andërr, buzë,
lumenj që puthen poshtë kalasë.
Shkodra asht poezi,
vargje me aromën e blinit.
Shkodra asht emocion i hanës
që shndritë përmbi liqen
asaj rruge të ngushtë
ku njerëzit dashurojnë fshehtas
e natyra hesht
sikur s'ka pa asgja..

Shkodra asht e çuditshme
e mistershme,
e bukur,
e brishtë,
e njomë,
e llastume,
e dashtun,

Shkodra asht nji jetë...

Comments

Popular posts from this blog

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde